Art & Kulturë

Zbulohet një stelë varri 2300 vjeçare në kishën e Shën Kollit në Gjirokastër

Në fshatin Këllëz të Lunxhërisë, në rrethin e Gjirokastrës, është zbuluar një stelë varri e përbërë nga gur gëlqeror monolit, që daton prej para 2300 vitesh.

Në këtë objekt arkeologjik dallohet një shigjetë, elementë dekorativë të kohës, si edhe shkrime të antikitetit që rrëfejnë emrin e personit të cilit i dedikohet kjo pllakë.

Kjo stelë me përmasa 164 x 41 x 18 cm është një ndërtim i shekullit të tretë para Krishtit dhe do të ruhet e ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Stela

Arkeologu Spiro Nika, ka rrëfyer për gazetën Shqiptarja.com, historinë e zbulimit të kësaj stele, e cila ka ndodhur krejt rastësisht, pasi është ripërdorur në kishën e Këllëzit, në pjesën e ikonostasit.

“I vendosur në këtë kishë, objekti ka ndryshuar  jo vetëm funksionimin e tij, por edhe pamjen, duke mbetur për afro tre shekuj një dokument historik i fshehur mes gureve të kishës. Sipër këtij objekti është bërë suvatimi”, është shprehur Nika.

Ky objekt do të lëvizë dhe do të kalojë në pronësinë shtetërore, ku pritet që të restaurohet dhe të studiohet domethënia e shkrimeve në të. Sipas arkeologut, ajo është një “Pllakë përkujtimore, ndoshta e një strategu ushtarak të periudhës helenistike”.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).