Art & Kulturë

FOTO/ Prezantohet projekti për Teatrin e ri Kombëtar

Debati mbi projektin e Teatrit të ri Kombëtar ka përfshirë me javë Ministrinë e Kulturës dhe artistët, duke u kthyer ditën e djeshme sërish në vëmendje.

Në sallën e ekspozitave të COD është mbajtur dje një takim me aktorët dhe Kryeministrin Edi Rama, për të diskutuar dhe parë më nga afër projektin-skicë të Teatrit.

Artistët të cilët kanë marrë pjesë në këtë mbledhje ishin Laert Vasili, Arben Kumbaro, Spiro Duni, Kiço Londo, Hervin Çuli, Gazmend Paja, Kujtim Çashku, Ilir Butka, Artan Imami, Pirro Milkani, Altin Basha dhe Robert Ndrenika.

Ajo çfarë ka bërë përshtypje është se Teatri i ri Kombëtar do të bëhet në sajë të një nisme Partneritet Publik-Privat, pra me konçension. Sipas kryeministrit, ndërtesa e re do të ketë trefishin e hapësirës që ka sot dhe nuk do të jetë më kullë.

“Ndërtesa do shembet dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. Kushtet e teatrit sot janë poshtëruese për artistët. Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale në qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët.

Ne kemi bërë për teatrin aq sa pasur mundësi, por kemi bërë më shumë se të gjitha vitet e marra së bashku. Nga 3000 metra katror rrënoja do të kemi 9 mijë metra katror. Nga 1 sallë do të kemi 4 salla për shfaqje. Teatri është pjesë e një propozimi për një partneritet publik privat. Sipërmarrësi garanton projektin për teatrin e ri, por nuk vjen për të humbur”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, Robert Ndrenika në fjalën e tij u shpreh skeptik për projektin e paraqitur.

Sipas tij, qeveria do të duhet të heqë dorë nga skema e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, përmes nismës PPP (Partneriteti-Publik-Privat). Shembull ai mori Maqedoninë, që siç nënvizoi Ndrenika, ka investuar 30 milionë euro për teatrin e vet.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).