Çdo 14 mars një rutinë e vjetër, por sakaq edhe e bukur, i ndjek të gjithë shqiptarët nga pas. Një festë pagane në origjinën e saj, Dita e Verës i mbledh të gjithë për të festuar së bashku ardhjen e stinës së bukur të pranverës.
Ushqimi tradicional? Ballokumja
Vendi mikëpritës i kësaj feste? Qyteti i Elbasanit (Kohët e fundit edhe kryeqyteti).

Qyteti i Elbasanit ditën e sotme.
Të gjitha sheshet e qytetit janë të mbushura plot me njerëz në 14 mars, të cilët ngrihen herët në mëngjes për të marrë pjesë në të gjitha kremtimet e organizuara. E duket, se festuesit kryesorë të kësaj feste janë fëmijët e vegjël dhe të rinjtë.

Tirana Open Air – Spektakël ajror në Sheshin Skënderbej
Me dhjetëra festa organizohen për një qëllim të vetëm: Dëfrimin e këtyre dy grupmoshave, që me energjinë e tyre, e bëjnë këtë festë më magjike dhe shpërthyese.

Tirana sot
Stafi i Infokult.al ka pyetur disa fëmijë të vegjël dhe disa të rinjë, që si ‘përfaqësues’ të secilës grupmoshë, janë përgjigjur ndaj dy pyetjeve kryesore: Cili është destinacioni që ata kanë përzgjedhur për të festuar Ditën e Verës 2018, si e festojnë në shtëpitë e tyre dhe rutina e festimeve që i ka ndjekur përgjatë këtyre viteve.
E zbulojmë në rreshtat më poshtë…
Ergi 10 vjeç, na tregoi se Dita e Verës është ndër festat e tij më të preferuara. “Për Ditën e Verës unë gjithmonë dal me mamin, babin e motrën meqë e kam pushim. Shkojmë të hamë ndonjë gjë e pastaj dalim në Tiranë, se ka shumë lojra të ndryshme.
Pas daljes me prindërit, Ergi në mbasdite mblidhet me shokët e tij, duke u uruar të gjithë kalimtarëve “Gëzuar Ditën e Verës!!”

Edhe fëmijët e tjerë janë shprehur mjaft të kënaqur për këtë festë, duke e startuar festimin e tyre me lojrat e ndryshme që janë vendosur te Parku Rinia e Liqeni Artificial dhe e kalojnë përgjithësisht ditën me prindërit e tyre.

Nga ana tjetër, për të rinjtë paraqitet një situatë pak ndryshe. Denisa 20 vjeçe, na tregoi se “Dita e Verës festohej më bukur kur unë isha e vogël se sa tani. Atëherë dilnim shëtitje me shoqet dhe luanim lojra të ndryshme gjatë gjithë ditës”.
Tashmë Denisa preferon që të rrijë në shtëpi dhe e shikon 14 marsin si “Një ditë tjetër të zakonshme”.
Edhe të rinjtë e tjerë që kemi pyetur ndanin të njëjtin mendim me Denisën. Por, kishte nga ata që zgjidhnin si opsion “streeparty-t” në darkë, të cilat janë kthyer tashmë në një traditë prej vitesh, duke tërhequr një grup të madh të kësaj moshe.

Erida, 21 vjeçe na tregoi se “Kam disa vite që e nis festën që prej orës 12:00 të drekës, pasi atë ditë jam edhe pushim nga shkolla. Lokacioni im i preferuar është stenda muzikore e Telecom në zonën e ish-bllokut që luan muzikë të zhanrave të ndryshme dhe më shërben si një pikënisje për të startuar këtë festë”.
Kësaj here, përveç stendës së Telecom, do të festohet edhe tek sheshi “Nënë Tereza”, ku shumë këngëtarë të njohur, si Anxhelo Koçi, Fifi, Gent Fatali e Fero, do të vijnë për të kënduar live me rastin e kësaj feste.

Përgjigjet e të rinjve të tjerë që ne kemi marrë kanë qenë pro festës te Kolonat, për shkak të këtyre të ftuarve që duket se lëkundin opinionin e atyre që dikur ishin besnikë ndaj stendës së Telecom.

Tre Musketjerët: Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Elton Deda do të performojnë tek Pazari i Ri.
Ndërkohë, në shtëpi ballokumja nuk mund të mungojë. E kthyer në ushqimin tradicional të Ditës së Verës, ajo pritet për t’u ngrënë së bashku me njerëzit e dashur dhe duke ndarë urimet më të mira për njëri-tjetrin.

Po verorja? “Në fakt puna e verores është harruar fare, kam vënë re që si unë dhe shoqëria ime e kemi harruar që ekziston tradita e verores… Kur kujtohemi e vendosim Ditën e Verës ndonjëherë në të rrallë, e vetëm si zbukurim”, është shprehur Denisa.

Me urimet më të mira dhe me një ballokume në dorë ashtu si gjithë njerëzia, ju urojmë Gëzuar Ditën e Verës!