Fotografi dhe eksploratori Marc Asket, ka zbuluar një prej bunkerëve të fundit në të cilin ka qëndruar diktatori gjerman, Adolf Hitler.
Ky bunker ndodhet në një zonë të fshehtë në mesin e një pylli në Francën veriore dhe është përdorur nga Hitleri e ushtria e tij për të planifikuar pushtimin e Britanisë.
Në pamjet që Asket ka realizuar, shihet se në pjesën e jashtme ndodhet një pishinë e madhe, e cila mbulohej nga një tarracë kur oficerët gjermanë laheshin në të, për të mos u zbuluar nga helikopterët e armikut. Fortresa është e izoluar dhe e pajisur me dyer të hekurta, të cilat e bënin të pamundur depërtimin e saj nga jashtë.
Në brendësi të tij bunkeri ka strukturën e një labirinti. Në të ndodhen me dhjetëra dhoma, që kanë patur funksione të ndryshme. Ai ka qenë i pajisur me një laborator, ku bëheshin eksperimente të ndryshme, një dhomë stërvitje për ushtarët dhe dhoma takimesh.
Pushtimi i Francës nga nazistët ka sjellë krijimin e shumë bunkerëve të tillë në këtë vend, të cilët vizitohen nga mijëra turistë. Megjithatë, vendndodhja e këtij bunkeri nuk është bërë e ditur dhe në të nuk mikëpriten vizitorët, pasi kjo fortresë naziste tani shërben si qendër e trajnimit të Legjionit të Huaj Francez.