Art & Kulturë

Trashëgimia kulturore: Shpëtohet nga shkatërrimi Xhamia e Plumbit në Shkodër

Ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, ka bërë publike nëpërmjet një postimi në Facebook, se shumë shpejt do të nisi restaurimi i xhamisë së Plumbit në krahinën e Shkodrës.

“Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i japin zgjidhje plagës kryesore të Xhaminë e Plumbit në Shkodër, pas miratimit të projektit për restaurimin e saj. Ky është vendimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve marrë në mbledhjen e tij të fundit, ku u shqyrtua në detaje projekti “Restaurimi i Xhamisë së Plumbit, Shkodër”, hartuar nga studio Ecolimarlik me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi.”-, ka shkruar ministrja në postimin e saj.

Për këtë projekt Ministria e Kulturës ka nisur një bashkëpunim të hershëm me Ambasadën turke dhe Agjencinë turke Tika, duke njohur vështirësinë e ndërhyrjes në një situatë të tillë që pëson rregullisht përmbytjet nga lumi, por edhe nga uji i reshjeve.

“Ndërhyrja e posaçme kërkon ndërtimin e një dige rreth xhamisë për të mbajtur larg ujrat nga muri strukturor i ndërtesës dhe për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij fenomeni që jo vetëm e bën të papërdorshme Xhaminë e Plumbit, por edhe ka dëmtuar vlera të saj, që tashmë do të jenë objekt restaurimi.”-, ka përfunduar kjo deklaratë.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitit 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu dhe është shpallur Monument Kulture në vitin 1973, pasi është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Xhamia është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri i rrethuar me harqe dhe në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore e minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes, jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku të rrethuar me harqe në formë galerie, që rrallë ndeshet në xhami të tjera.


Sipas të dhënave në IMK, punimet restauruese të fundit janë bërë në vitin 1863, ku pas kësaj deri në shekullin e 20-të, nuk ka ndonjë ndërhyrje tjetër të regjistruar. Në vitin 1967 minarja e xhamisë është rrëzuar nga rrufeja. Gjatë viteve të regjimit komunist xhamia ka qenë e mbyllur dhe është hapur vetëm në vitin 1991. Në ndërhyrjet e viteve të fundit e gjithë suvatimi i ndërtesës është rinovuar me suva çimentoje dhe të gjitha dritaret e dyert janë rinovuar.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).