Publikohet letra e Lasgush Poradecit drejtuar mamasë së tij: Dua të martohem, kërkoj lejen tënde

Një kujtim i shtrenjtë për poetin e famshëm është publikuar nga vajza e tij. Bëhet fjalë për një letër të rrallë të poetit që ai i ka dërguar nënës së tij, Kostandina Gushos, më 22 qershor 1939.

Në këtë letër, Lasgushi i kërkon leje mamasë së tij që të martohet me një çupë, që siç e përshkruan ai, është një ‘lesh verdhë e hollë’.

Letra e plotë:

Një letër e Lasgushit për nënën e tij Zonjës Kostandina Gusho.

Rruga Naim Frashëri Pogradec

Tiranë, 22 Qershor 1939

Nëna ime e dashur, Dyke dashur të martohem me një çupë pe shkolle që më ka hije, kërkoj lejën t’ënde. Çupa ka mbaruar përpara tetë muajsh Institutin “Nëna e Skënderbeut” dhe bën vjersha. Është një lesh-verdhë e hollë, ashtu siç më pëlqen mua po më shumë se këto, më pëlqen mëndja dhe shpirti i saj. I-ati ka qënë oficer po është vrarë prej kohe për Shqipërinë, ay kishte dy dekorata.

Unë me çupën jam njohur përpara dy vjetëve kur ajo ishte nxënëse në klasën e tetë. Kish ardhur klasa e VII-të dhe e VIII-të e Institutit nënë udhëhëqjen e kujdestares së tyre, të vizitojnë Ekspozitën e Rilindjes ditën e 25-vjetorit. Emri i çupës është Nafije Mema, ajo është një atdhetare e përvëluar si dhe unë. Ju dërgon të gjithëve shumë të fala dhe ty, nëna ime e dhemshur, të puth dorën me dashuri dhe me nder të math. Djali yt Llazar.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).