Art & Kulturë

Nis restaurimi i banesës së vëllezërve Frashëri (FOTO)

Shtëpia Muze e vëllezërve Frashëri, që është ndërtuar në vitin 1974 mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar, do t’i nënshtrohet proçesit të restaurimit.

Shkak për këtë ndërhyrje janë bërë disa problematika që janë shfaqur në çati, disa çarje në muraturën perimetrale dhe duhen rregulluar disa elementë arkitektonikë të brendshëm, si: ndërkatet e drurit, shkallët, dyert dhe dritaret.

Kjo banesë është një monument kulture e kategorisë së parë dhe qëndron në hyrje të fshatit Frashër në rajonin e Gjirokastrës. Si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë tonë kombëtare, kjo shtëpi-muze shërben për të rikujtuar veprimtarinë historike të tre rilindasve kombëtarë.

Në projektin për rikonstruksionin e saj përfshihen elementë të rinj, siç do të jenë ndërkate e tavane druri, si edhe oxhakët nëpër dhoma, të cilat pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, ku në to mund të shihen orendi të vjetra që janë dhuruar nga banorët e zonës.

Dorëshkrime dhe libra të vëllezërve Frashëri qëndrojnë në këtë shtëpi, ku spikasin disa botime autentike të Sami Frashërit. Po ashtu, në shumë nga dhomat e kësaj shtëpie ruhen ende ekspozitorët dhe stendat e projektuara gjatë kohës kur banesa u rikonceptua si shtëpi-muze.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).