Art & Kulturë

Ndërron jetë regjisori dhe aktori Nuhi Matoshi

Ish regjisori i Radiotelevizionit të Prishtinës Nuhi Matoshi, ka vdekur ditën e djeshme në moshën 71 vjeçare.

Matoshi lindi më 30 maj të vitit 1946 dhe ai u bë i njohur në kinematografinë shqiptare si një aktor, regjisor e dramaturg.

Në vitet ’70, ai ishte në ekipin realizues si asistent regjie në filmat televizivë: “Epoka para gjyqit”, “E kafshoja terrin” me regji të Ekrem Kryeziut, “Kopshti i pleqërisë” me regji të Skender Limanit, “Binarët” me regji të Faik Ymerit në produksionin “Gëzuar Vitin e Ri” më 1976, me regji të Muharrem Qenës e të tjerë.

Në RTP po ashtu ishte regjisor i dokumentarëve “Festivali i Folklorit – Gllogovci”, “Ansambli muzikor nga Mushtishti” e “Bujku”. Matoshi së fundmi ka luajtur edhe në filmin “Kësulat” me skenar të Jimi Tihovsit e regji të britanikut Alan Trow, që është dhënë premierë në tetor të vitit të kaluar.

Për të nderuar jetën dhe veprën e regjisorit të njohur nga qyteti i Gjilanit në Kosovë, kjo komunë do të organizojë një takim përkujtues.

“Komuna e Gjilanit, nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri, organizon të mërkurën mbledhje komemorative në ora 11:00, në teatrin e qytetit!”, bëhet e ditur në njoftimin e komunës së Gjilanit.

Nuhiu njihej si njëri prej atyre që i dhanë hov themelimit të teatrit në këtë qytet. Së bashku me brezin e tij të artistëve, ata bënë që ky institucion të kthehej shpejt në një nga pikat kulturore jo vetëm për Gjilanin, por edhe më tej.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).