Zëri i “Bilbilit të Kosovës”, Nexhmije Pagarushës ka kumbuar fuqishëm përgjatë dekadave të tëra, duke mbajtur gjallë dashurinë për kulturën dhe të bukurën.
Idhull i të gjithë brezave të Kosovës nga viti 1948 e deri më sot me zërin e saj mbresëlënës, mbush sot 86 vjeç.
Nexhmije Pagarusha, legjenda e gjallë e këngës shqiptare, lindi më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për 3 vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër.
Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtina, ku në vitin 1948 u pranua si soliste. Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984.
Në vitin 2017, Nexhmije Pagarusha erdhi me një bashkëpunim me këngëtaren Yllka Kuqi, me një këngë tepër të veçantë kushtuar nënave.