Një yll në botën e muzikës, duket se Madonna ia del që të shkëlqejë edhe në botën kinematografike, e më konkretisht në rolin e regjisores.
Së fundmi, këngëtarja do të jetë regjisorja e një filmi dedikuar jetës së jashtëzakonshme të balerinës Michaela DePrince, e cila u kthye nga një jetime në një balerinë me famë botërore.
Sipas revistës amerikane Variety, titulli i filmit është “Taking Flight” dhe ai do të jetë i treti në listën e prodhimeve kinematografike të drejtuara nga Madonna, pas “Sacro e Profane” e “W.E – Edward & Wallis”.

Michaela De Prince
Në këtë film do të trajtohet historia e vërtetë e Michaela, e cila pasi humbi të dy prindërit në konfliktin e vendit të saj, përfundon në një jetimore, ku duron mizoritë nga ngacmimet e fëmijëve të tjerë, të cilët e quajnë “demon” për shkak të njollave të bardha në lëkurën e saj.
Gjatë kësaj periudhe, Michaela bie në dashuri me vallëzimin dhe pasi adoptohet në moshën 4 vjeçare nga një çift amerikan, Elaine e Charles DePrince, asaj i jepet mundësia të studiojë për pasionin e saj, kërcimin.
“E gjithë historia e Michaela më tronditi shumë, më preku si artiste dhe aktiviste që kupton diversitetin”, është shprehur Madonna për Variety.
Skenari me të cilin do të realizohet “Taking Flight” është marrë nga autobiografia e Michaela DePrince, që e ka shkruar së bashku me nënën e saj Elaine, e titulluar “Taking Flight: From war orphan to star ballerina”.