Mohandas Gandhi ishte udhëheqësi i lëvizjes indiane për pavarësi, nga ku u bë i njohur për të gjithë botën falë metodave civile e paqësore që përdorte për të arritur qëllimin e vet.
Ai është cilësuar si një ideolog i madh dhe njeri i urtë, që ia doli të arrinte pavarësinë e Indisë nga Britania në 1947. Megjithatë, ai e përdori influencën e tij edhe për të arritur tek Adolf Hitler.
Gandhi i vuri vetes së tij një detyrë të rëndësishme: Të parandalonte Hitlerin që të fillonte Luftën e dytë Botërore. Në vitet 1939-1940, ai i shkroi Hitlerit një letër, ku i kërkonte që të zgjidhte paqen në vend të luftës dhe nga ana tjetër, u kërkonte qytetarëve britanikë që të mos luftonin me armë kundrejt Adolf Hitler dhe Benito Mussolinit.
“Në teknikën time ku nuk përdoret dhuna, asnjë palë nuk del humbëse. Ajo mund të përdoret pa pasur nevojë për para dhe pa ndihmën e shkencës së shkatërrimit, të cilën ti e ke perfeksionuar kaq mjeshtërisht.”, i ka shkruar Gandhi, Hitlerit.
Sigurisht që ne tani e dimë se letrat e tij nuk sollën asnjë rezultat, pasi diktatori gjerman vazhdoi me planet e tij dhe shpalli Luftën e dytë Botërore, por nëse ju intereson të lexoni letrën e një prej udhëheqësve shpirtërorë më të njohur që ka njohur njerëzimi, e gjeni më poshtë.
“I dashur mik,
Fakti që unë po të drejtohem me fjalën ‘mik’ do të thotë që për mua nuk ekzistojnë formalitetet. Nuk kam armiq. Biznesi im në jetë ka qenë për 33 vitet e fundit që t’i njoh të gjithë, duke u miqësuar me njerëzimin, pavarësisht nga raca, ngjyra apo besimi i tyre.
Unë shpresoj se ju do të keni kohë dhe dëshirë të dini pikëpamjen e një pjese të mirë të njerëzimit që jetojnë nën ndikimin e asaj doktrine dhe se si e shohin ata veprimin tuaj. Nuk kemi asnjë dyshim për trimërinë apo përkushtimin ndaj atdheut tuaj, as nuk besojmë se ju jeni përbindëshi i përshkruar nga kundërshtarët tuaj. Por shkrimet dhe deklaratat tuaja dhe ato të miqve tuaj apo të admiruesëve, nuk lënë hapësirë për dyshim, se shumë prej veprimeve tuaja janë monstruoze dhe të pahijshme për dinjitetin njerëzor, veçanërisht në vlerësimin e njerëzve si unë që besojnë në mirëdashjen universale. Të tilla janë poshtërimi i Çekosllovakisë, abuzimi me Poloninë dhe zaptimi i Danimarkës. Unë jam i vetëdijshëm se pikëpamja jote për jetën i cilëson këto akte si veprime të virtytshme. Por ne, jemi mësuar që nga fëmijëria për t’i konsideruar ato akte, si veprime që e degradojnë njerëzimin. Prandaj, nuk mund t’ju urojmë sukses.
Pozicioni që ne kemi patur është unik. Ne po i rezistojmë imperializmit britanik, njësoj siç po bën nazizmi. Nëse ka një ndryshim midis tyre, ajo matet në shkallë. Një e pesta e racës njerëzore është sjellë nën thembrën britanike me anë të mjeteve që nuk do të na mbajnë për shumë kohë nën vëzhgim. Rezistenca jonë ndaj saj nuk do të thotë dëm për popullin britanik. Ne kërkojmë t’i kthejmë ushtritë pas, nuk duam që t’i mposhtim ato në fushën e betejës. Jona është një revoltë e paarmatosur kundër sundimit britanik. Por nëse i bindim apo jo, ne gjithsesi jemi të vendosur ta bëjmë sundimin e tyre të pamundur nga mosbashkëpunimi jo i dhunshëm. Në natyrën e vet, kjo metodë është e pashkatërrueshme. Sundimtarët anglezë mund të zotërojnë tokën dhe trupin tonë, por jo shpirtrat tanë. Ata mund të kenë të parën vetëm me shkatërrimin e plotë të çdo burri, gruaje dhe fëmije indian. Askush nuk e di me siguri nëse do të jetë e mundur që çdokush të shkojë deri në atë shkallë heroizmi apo se asnjë nuk do të tërhiqet në momentin e fundit, por ne duam të tregojmë qëndrimin tonë, jo thjesht të jemi fitues. Sepse, nëse gjejmë në Indi një numër të caktuar burrash dhe grash, që do të ishin të gatshëm të përgatiteshin për t’u ngritur kundër tiranëve dhe duke sakrifikuar jetën e tyre, atëherë ne do të jemi të lirë. Unë ju kërkoj të më besoni kur them se do të gjeni një numër të madh të këtyre burrave dhe grave në Indi. Ata kanë qenë duke u trajnuar mbi këtë ideal për 20 vitet e fundit.
Ne kemi që gjysmën e shekullit të kaluar që po përpiqemi të hedhim poshtë sundimin britanik. Lëvizja e pavarësisë nuk ka qenë kurrë kaq e fortë sa tani. Organizata më e fuqishme politike, dua të them Kongresi Kombëtar Indian, po përpiqet ta arrijë këtë qëllim. Ne kemi arritur një masë shumë të mirë të suksesit përmes përpjekjeve jo të dhunshme. Ne kemi zgjedhur mjetet e duhura për të luftuar dhunën më të organizuar në botë që përfaqësohet nga fuqia britanike. Ju e keni sfiduar atë. Mbetet të shihet cili është organizimi më i mirë, gjermanët apo britanikët. Ne e dimë se çfarë do të thotë thembra britanike për ne dhe banorët jo evropiane të botës. Por, ne kurrë nuk do të dëshironim t’i jepnim fund sundimit britanik me ndihmën e ushtrisë gjermane. Ne kemi gjetur në përdorimin e paqes një forcë e cila, nëse është e organizuar, pa dyshim mund të barazohet me një kombinim të të gjitha forcave më të dhunshme në botë. Në teknikën e paqes, siç e thashë, nuk ka gjë të tillë si mposhtja. Ajo mund të përdoret pa para dhe pa ndihmën e shkencës së shkatërrimit, të cilën ti e ke perfeksionuar kaq mjeshtërisht. Është një mrekulli për mua që ju nuk e shihni se shkenca nuk është monopoli i askujt. Nëse nuk e bëjnë britanikët, ndonjë fuqi tjetër me siguri do të përmirësojë metodën tuaj dhe do t’ju mundi me armër tuaja. Ju nuk po lini asnjë trashëgimi për popullin tuaj për të cilën ata do të ndiheshin krenarë. Ata nuk mund të krenohen me një recital të veprës mizore, pavarësisht se ato janë planifikuar me mjeshtëri. Unë, pra, ju bëj thirrje në emër të njerëzimit për të ndaluar luftën. Ju nuk do të humbni asgjë duke iu referuar të gjitha çështjeve të mosmarrëveshjes midis jush dhe Britanisë së Madhe, në një gjykatë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Nëse fitoni me luftë, ajo nuk do të provojë se keni pasur të drejtë. Ajo vetëm do të provojë se fuqia juaj e shkatërrimit ishte më e madhe se e armikut tuaj. Ndërsa një vendim nga një gjykatë e paanshme, do të tregojë aq sa është njerëzisht e mundur, se cila palë kishte më shumë të drejtë.
Ju e dini që jo shumë kohë më parë i kam bërë thirrje çdo britaniku që të pranojë metodën time të rezistencës pa dhunë. E bëra këtë sepse britanikët më njihnin si mik, edhe pse ishin rebelë. Unë jam një i huaj për ty dhe për popullin tënd. Unë nuk kam guximin t’ju bëj thirrjen që i bëra çdo britaniku. Jo se nuk do të vlejë për ju me forcën e njëjtë siç ishte për britanikët. Por, propozimi im i tanishëm është shumë i thjeshtë, sepse është shumë më praktik dhe i njohur.
Gjatë këtij sezoni, kur zemrat e popujve të Evropës dëshirojnë paqe, ne kemi pezulluar edhe luftën tonë për pavarësi. A është shumë për t’ju kërkuar që të bëni një përpjekje për paqe gjatë një kohe që nuk do të thotë asgjë për ju personalisht, por që për miliona evropianë do të ishte një realizim i thirrjes së tyre të butë për paqe? Unë kisha ndërmend t’ju drejtohesha në një thirrjeje të përbashkët juve dhe z. Musolini, me të cilin kisha privilegjin të takohesha kur isha në Romë, gjatë vizitës sime në Angli si delegat në Konferencën e Tryezës së Rrumbullakët. Shpresoj se edhe ai do ta shikojë këtë letër të adresuar po ashtu ndaj Italisë, me ndryshimet përkatëse.”