Art & Kulturë

Fotografia e Kroni Krasniqit zë vend në faqet e “The Sun Magazine”

Fotografia e shkrepur në Liqenin e Batllavës nga fotografi i ri Kroni Krasniqi është publikuar së fundmi në revistën e njohur Amerikane “The Sun Magazine”.

Kjo fotografi e pozicionuar në tokën e thatë të Liqenit të Batllavës pasqyron kohën krizës për ujë. Buzë liqenit shihet barka e cila tashmë në mungesë të ujit ka mbetur në tokën e thatë. Kroni Krasniqi, edhe pse i ri në moshë, lidhja e tij me fotografinë është shumë e hershme, madje ai thotë se këtë pasion e ka trashëguar nga familjarët e tij, të cilët përgjatë viteve e kanë ndarë një dashuri të veçantë për fotografinë. Kroni është rritur me këtë pasion për të ngrirë bukuritë e natyrës përmes një fotografie të vetme. Ai që fëmijë ka poseduar një aparat të vogël me të cilin ka shkrepur pamje të cilat e tërhiqnin. Natyra, gjelbërimi, kafshët e fshatit të tij kishin qenë objektivi kryesor i aparatit të tij të vogël.

“Kam komunikuar me revistën, e kam dërguar fotografinë, e cila më pas është pranuar nga juria. Dhe në Janar 2018, kanë vendosur ta publikojnë, duke ia bashkëngjitur një tregimi të bukur fiktiv të shkruar nga Brenda Peynado”, tregoi Kroni.

Depërtimi i fotografisë së tij përtej kontinentit, atij i ka dhënë mjaft motiv për ta vazhduar zhvilimin e mëtejshëm të këtij pasioni të veçantë.

“Për mua është ndjenjë e mirë që jam pjesë e një reviste me emër në Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Kjo me jep motiv për të vazhduar dhe shpresoj qe secili prej nesh që e duam fotografinë të kemi mundësi ta tregojmë pasionin tonë, kudo qoftë edhe në revistat tona edhe në portalet tona, e pse jo edhe jashtë kufijve”, është shprehur Kroni.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).