Pas akuzave të shumta që u bënë karshi logos zyrtare të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, se ajo ishte kopjuar nga logoja e një kompanie gjermane, është përzgjedhur një model i ri për këtë festë.
Këshilli Organizativ për Shënimin e 10 Vjetorit të Pavarësisë, ka zgjedhur një logo të re për këtë përvjetor, autor i së cilës është Zeni Ballazhi, njëherësh personi që dizenjoi edhe logon e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ky Këshill ka treguar se logoja është ndryshuar pasi është marrë edhe miratimi i dy autorëve të logos së parë, të cilët shprehën revoltën ndaj akuzave për plagjiaturë, duke publikuar edhe proçesin nëpër të cilin kishte kaluar dizenjimi i punës së tyre.
Logoja e re ishte përzgjedhur si dizajn për Medaljen Presidenciale të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, por Këshilli Organizativ ka vendosur që ajo jetë edhe logoja zyrtare e tërë manifestimeve.
“Më vjen mirë që Këshilli Organizativ u është përgjigjur pozitivisht shqetësimeve të ngritura në publik rreth ngjashmërisë së logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës me një logo tjetër dhe ka vendosur që të ndryshojë atë. Logoja e re do të përdoret për të gjitha organizimet festive dhe për Medaljen Presidenciale Jubilare. #Kosova10”, ka shkruar presidenti kosovar Thaçi në Facebook.
Kjo është logoja e re: