Europa Nostra, organizata lider në fushën e trashëgimisë kulturore në Evropë, ka publikuar listën e 12 vendndodhjeve historike e kulturore më të rrezikuara.
Kjo listë kryesohet nga qendra historike e qytetit të Gjirokastrës, për të vijuar më pas me kishat e stilit post -bizantin në Voskopojë dhe Vithkuq.
Pas publikimit të kësaj liste, kanë qenë të shumta përgjigjet e organizatave të ndryshme kulturore të Shqipërisë, të cilat kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj këtij rreziku që po u vjen monumenteve kulturore shqiptare.
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka nxjerrë një deklaratë të vetën, në të cilën kanë treguar se e kanë shprehur gjendjen alarmante të këtyre monumenteve edhe më përpara, por se lajmërimet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
“Përkundër mendimit tonë që gjendja në Gjirokastër është alarmante dhe po shkon drejt një pike fatale, Ministria ka vijuar të trumbetojë me të madhe që Gjirokastra tashmë ka dalë nga gjendja e emergjencës dhe ka hyrë në një fazë të re, atë të “rijetëzimit”. Ky mendim për ne është i gabuar.”-, shkruhet në deklaratën e këtij forumi.
Nga kjo listë, Europa Nostra do të përzgjedhi 7 vendet më të rrezikuara, të cilat do të shpallen nga po kjo organizatë më 15 mars.
Prof. Lida Miraj, arkitekte, arkeologe, anëtare e Këshillit të “Europa Nostra” shprehet se beson që Gjirokastra, ashtu si edhe kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, do të jenë në programin e 7 vendndodhjeve të trashëgimisë më të rrezikuara në Europë.
“Gjirokastrën dhe kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit “Europa Nostra” i bëri tani publike, janë mes 12 vendndodhjeve dhe për tu zgjedhur te shtatë më të rrezikuarat, mbledhja bëhet në muajin mars. Unë besoj që të dyja do të jenë në listën e 7 më të rrezikuarave. Por kjo ka rëndësi, sepse nëse janë këtu është dhe thirrja e vëmendjes së ndërkombëtareve europianë për të dyja këto vlera të mëdha të trashëgimisë sonë kulturore”-, pohon prof. Miraj, në një reagim të saj pas takimit që u zhvillua dje në Gjirokastër mbi lëvizjet që duhen bërë për të restauruar këto monumente.
Më poshtë mund të lexoni artikullin që organizata Europa Nostra i ka dedikuar Gjirokastrës dhe kishave në Voskopë e Vithkuq.
Qendra historike e qytetit të Gjirokastrës, Shqipëri
Qyteti i Gjirokastrës ndodhet në luginën e Drinos, në zonën më të pasur arkeologjike në Shqipëri, që daton që prej epokës së bronxit të mesmë. Qendra Historike e Gjirokastrës është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore që nga viti 2005. Ajo përfshin disa lloje ndërtimesh, siç janë ndërtesat shoqërore dhe publike, vendet e adhurimit dhe banesat, të gjitha të harmonizuara në një panoramë të jashtëzakonshme historike urbane. Thelbi i Qendrës është pazari i vjetër me dyqane të vendosura në linja paralele, që përfaqëson vendet tipike urbane të shekujve 17-të dhe 18-të. Nga 615 monumente të vendosura në Qendrën Historike, më shumë se gjysma e tyre janë pre e ndërtimeve ilegale, ndërsa 169 janë në gjendje kritike ose në rrezik kolapsi. Për më tepër, një projekt i diskutueshëm “Bypass Road”, është miratuar kohët e fundit nga autoritetet kombëtare dhe lokale. Ky zhvillim do të dëmtojë seriozisht integritetin strukturor dhe vizual të Qendrës, që është thelbi i vlerës së jashtëzakonshme të kësaj qendre. Fondacioni Gjirokastra ishte organizata që e nominoi këtë vendndodhje në listën e 7 vendeve më të rrezikuara.
Kishat e stilit post-bizantin në Vithkuq e Voskopojë
Një numër i konsiderueshëm i kishave post-bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq, që ndodhen në Shqipërinë juglindore, janë monumentet më përfaqësuese të artit kishtar të shekullit XVII-XVIII në Ballkan dhe janë kryevepra të stilit post-bizantin. Lufta, plaçkitja dhe fatkeqësitë natyrore kanë dëmtuar seriozisht 12 kishat e këtij lloji. Popullsia e krishterë përreth ka rënë ndjeshëm dhe mungesa e klerit ka sjellë që shumica e kishave të mbeten të papërdorura për pjesën më të madhe të vitit. Rreziku kryesor tani vjen nga neglizhenca e përgjithshme nga ana e përgjegjësit administrativ për kishat në nivel kombëtar, që është përkatësisht “Instituti i Monumenteve të Kulturës”. Kisha e Shën Gjergjit në Voskopojë, e cila fitoi çmimin “Europa Nostra” në vitin 2011 për ruajtjen e saj në nivele të jashtëzakonshme, sot përballet me rrezikun nga vjedhje të ndryshme dhe thekson urgjencën me të cilën këto kisha të rëndësishme duhet që të mbrohen. Fondacioni “The Past for the Future” ishte organizata që e nominoi këtë vendndodhje në listën e 7 vendeve më të rrezikuara.