Telegram, një aplikacion mesazhi, që njihet për inkriptimin e mesazheve duke e bërë të pamundur gjurmimin e tyre, është hequr nga App Store i iPhone.
Sipas themeluesit të këtij aplikacioni, Pavel Durov, ai u hoq pasi disa përmbajtje të papërshtatshme filluan të qarkullonin në këtë app.
“Ne u lajmëruam nga Apple se një sërë përmbajtjesh të papërshtatshme u ishin dhënë në dispozicion përdoruesve tanë, ndaj vendosëm që t’i fshinim të dyja këto aplikacione nga App Store”-, ka deklaruar ai nëpërmjet një postimi në Twitter.
Durov ka rrëfyer më tej se sapo të vendosen masa e duhura të sigurisë, aplikacioni do të bëhet përsëri i disponueshëm për t’u shkarkuar në App Store.
Telegram është kritikuar shumë shpesh, ku individë të ndryshëm e akuzojnë atë se u jep shans terroristëve të komunikojnë me njëri-tjetrin fshehtazi.