Art & Kulturë

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore me dy koncerte në Gjermani

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të zhvillojë dy koncerte në Gjermani. Pas Gjakovës ku u mirëprit nga publiku, Ansambli Popullor do të jetë me dy koncerte në Gjermani duke prezantuar një program të pasur artistik, me perlat e krijimtarisë sonë folklorike.

Më 16 dhe 18 nëntor, respektivisht në Essen dhe Munich mbyllet turi i 60 vite histori të Ansamblit Popullor.

Koncerti gala i zhvilluar më parë me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të artistëve ndër vite, të veteranëve të Ansamblit Popullor dhe trupës së artistëve që e mbajnë gjallë këtë Ansambël, të balerinëve të trupës së baletit të TKOB ishte kulminacioni më i lartë, i cili risolli në vëmendjen e publikut edhe njëherë gjerdanin e paçmueshëm të perlave të muzikës, valles dhe trashëgimisë sonë popullore. Prej vitesh në jetën artistike artistët e Ansamblit Popullor janë mirëpritur dhe vlerësuar nga publiku. Nuk kanë munguar koncertet edhe në skena të huaja, apo dhe në festivale ku janë vlerësuar me çmime të ndryshme.

Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike.

Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi.

AKVP-ja ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).