550-vjetori i Skënderbeut/ Statutet e Drishtit dhe përkujtimi i të madhërishmit Gjergj Kastriot S.

Më 12 janar 1468, pak ditë para vdekjes së Gj.K.Skënderbeut, klerikët e Kishës Katedrale të Dishtit, miratuan “Statutet” që rregullonin jetën dhe veprimtarinë e bashkësisë katolike të qytetit.

“Statutet e Drishtit”rrëfejnë ndërmjet rrjeshtave një dramë dhe një tragjedi që luhej aso kohe në teatrin heroik shqiptar. Aty janë të pranishëm disa nga personazhet madhështore të kësaj tragjedie, midis tyre, Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, i dërguar i Vatikanit dhe këshilltar i Skënderbeut.
“Statutet e Drishtit” nuk ishin thjesht një dokument juridik, por një pentagram, një hymn “te deum” që këndohej me solemnitet në Kishën Katedrale të Drishtit, në aktin e fundit të tragjedisë.

Nga Profesor Dr. Aleks Luarasi

Mbi lartësitë e Drishtit frynin erërat e ftohta të janarit të vitit 1468. Malet atje tej ishin mbushur me dëborë dhe qëndronin të heshtur dhe madhështorë në vetminë e tyre. Lart në qiell dukej dhe zhdukej mes reve një diell i pakët dhe i ftohtë.
Në sallën e madhe të Kishës Katedrale të Drishtit hynin njëri pas tjetrit klerikët e rangjeve të ndryshme, kokulur, të menduar, të përvuajtur, të mjeruar. Tek zinin vend në karriget e tyre shihnin statujat e Jesu Krishtit në kryq, ikonat madhështore gjithë ngjyra që zbukuronin sallën e madhe të Kuvendit, qirinjtë e ndezur dhe sendet prej ari që shkëlqenin.

Të gjithë e kishin mendjen te një lajm të hidhur si pelini që ishte përhapur ato ditë në Kuvend. Ai, i madhërishmi, i përndrituri, shpresa e tyre e fundit, Gj. K. Skënderbeu, po shuhej e po ftohej … në Lezhë. Askush nuk fliste rreth këtij lajmi, secili e bluante në brendësi te shpirtit të vet, në heshtje.

Klerikët po mblidheshin në Kuvend që të miratonin Statutet e Kishes Katedrale të Drishtit, një ngjarje vërtet e madhe për kishat e shumta në varësi të saj. Së fundi, edhe kisha e tyre e Drishtit do të kishte Statutet e veta, të miratuara nga vetë Papa i Romës. Në një ditë tjetër kjo ngjarje e madhe do të kishte nxitur gëzimin dhe krenarinë e tyre përkrah kishave të tjera, te filluar disa vite me parë. Histori procedurash, si hartimi i projektit, rishikimi, miratimi nga Papa i Romës. Projekti ishte përfunduar me kohë, por miratimi nga Kuvendi i Kishës Katedrale të Drishtit ishte vonuar. Dukej sikur ngjarja e hidhur që mund të ndodhte nga dita në ditë e kishte përshpejtuar miratimin përfundimtar.

Statutet e Drishtit u miratuan në dt. 12 janar 1468, pesë ditë para vdekjes së Gj. K. Skënderbeut. Ai vetë, “Atleti i Krishtit”, sikurse e kishte quajtur dikur shenjtëria e tij, Papa Piu II, nuk ishte i pranishëm dhe emri i tij nuk përmendej në Statutet. Ishte i sëmurë dhe duke vdekur në Lezhë, ku ishte mbledhur Kuvendi i Princave Shqiptarë. Pikërisht kjo ngjarje e hidhur, që pritej të ndodhte për shkak të moshës dhe sëmundjes së tij, e përshpejtoi legalizimin e Statuteve që ishte vonuar me vite për shkak të rrethanave të luftës.

Statutet e Drishtit u miratuan në dt. 12 janar 1468, pesë ditë para vdekjes së Gj.K.Skënderbeut. Ai vetë, “Atleti i Krishtit”, sikurse e kishte quajtur dikur shenjtëria e tij, Papa Piu II, nuk ishte i pranishëm dhe emri i tij nuk përmendej në Statutet. Ishte i sëmurë dhe duke vdekur në Lezhë, ku ishte mbledhur Kuvendi i Princave Shqiptarë. Pikërisht kjo ngjarje e hidhur, që pritej të ndodhte për shkak të moshës dhe sëmundjes së tij, e përshpejtoi legalizimin e Statuteve që ishte vonuar me vite për shkak të rrethanave të luftës.

Mungesa e tij shpjegohej jo vetëm me gjendjen shëndetësore: Skënderbeu ishte përfaqësues i pushtetit laik; Statutet e Drishtit i përkisnin kishës katolike. E drejta kishtare ishte e ndarë nga e drejta shtetërore dhe pushteti laik. Secila kishte domenin e vet të së drejtës; diku – diku takoheshin dhe mbështetnin njëra tjetrën.

Në vend të tij ishte i pranishëm një figurë mitike e kishës katolike, Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, këshilltar dhe diplomat i Skënderbeut nga familja e Engjëllorëve të Drishtit, i cili ishte ngarkuar nga Vatikani të mbikëqyrte shqyrtimin dhe miratimin e Statuteve. Klerikët e shumtë që mbushnin sallën e Kuvendit nuk e kishin parë akoma; ishte lart dhe bisedonte me drejtuesit e Kishës. Kuajt e tij dhe të shoqëruesve të shumtë ishin në oborr; përtypnin me qetësi barin që kishin përpara dhe shihnin me sytë e pafajshëm muret e Katedrales.

Këtë rol ia kërkonte funksioni i tij i lartë në hierarkinë e kishës katolike në Shqipëri, si kryepeshkop i Durrësit, si komisar apostolik (commissaries) dhe gjykatës (conservator) për Ilirinë, që e plotësonte me diturinë, urtësinë dhe nderimin e veçantë që gëzonte në Vatikan dhe në aparatin shtetëror të Skënderbeut.
Një portret të Pal Engjëllit na e jep historiani i shquar kroat, Milan Shufflay, i cili ka shkruar se “ Kryeipeshkopi i Durrësit ishte prelat i nivelit evropian”. Kërkesa për miratimin e Statuteve ishte parashtruar në Romë, në emër të kishës së Drishtit, nga një figure tjetër e kishës katolike dhe e luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Ky ishte i urti Dhimitër Frangu, kanonik i Drishtit, i cili kishte shërbyer gjatë luftës si “thesartar” (mbajtës i thesarit) në ushtrinë e Skënderbeut dhe ka shkruar më vonë një histori tjetër të tij, pas asaj të M. Barletit.

Dorëshkrimi i Statuteve ishte shkruar me kaligafinë e mesjetës, në pergamen të butë, në gjuhën latine, me tre ngjyra: teksti – kafe, kapitujt – te kuqe, nëndarjet – blu; në të gjitha faqet e dorëshkrimit ka iniciale (shkronja të para), të stilizuara dhe të dekoruara në flori ose në njërën nga tre ngjyrat. Ai përbman, në krye të tij, edhe një portret me ngjyra të Pal Engjëllit me shkopin baritor në dorë.
Dorëshkrimi dëshmon qartë në formë dhe në përmbajtje për nivelin e lartë kulturor të klerit katolik shqiptar në prag të pushtimit osman. Ai nuk ishte thjesht një dokument juridik, por një pentagram, një hymn “te deum”që këndohej me solemnitet në Kishën Katedrale të Drishtit, në aktin e fundit të tragjedisë.
Statutet e Drishtit u shqyrtuan dhe u miratuan atë ditë me ekzigjenca të forta juridike, të cilat ishin tipike për të drejtën katolike në mesjetë. Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli do të vinte vulën përfundimtare në prani të noterit. Në të njëjtën kohë, ai do të ishte mbikëqyrës i zbatimit të Statuteve, instanca përfundimtare e interpretimit dhe e çdo ndryshimi të mëvonshëm.
Nga një vështrim i shkurtër i dispozitave të Statuteve mund të kuptojmë jetën që zhvillohej brenda mureve të Katedrales të Drishtit, si dhe rregullat që e përkufizonin atë.

Statutet ishin pjesë e së drejtës kishtare të ritit katolik. Rregullat e Kishës së shenjtë parashikonin se përveç legjislacionit qendror të miratuar nga Vatikani, lejohej edhe një legjislacion i kishave vendore (legjislacion i deleguar) që kishte parasysh zakonet dhe traditat lokale, gjithmonë në pajtim me normat qendrore.
Për më tepër, ky legjislacion vendor kishte një rrezatim më të gjerë: ai rregullonte jo vetëm kishën katolike, por deri diku edhe vetë jetën e qytetit. Kuptohet që rolin drejtues e kishte patricati i qytetit, familjet e mëdha të Drishtit si Engjëllorët, Frangajt, Sumat, etj., të cilat kishin përfaqësuesit e tyre të në radhët e klerit lokal deri në Vatikan.

Statutet e Drishtit kishin në krye një hyrje që parashtronte parimet kryesore (ajo që quhet “Preambul” në kushtetutat moderne). Një nga parimet kryesore të saj ishte ai i ligjshmërisë, i shprehur si vijon: “Nuk ka asgjë më të lartë për të vdekshmit në këtë epokë se sa ligji i mbretit”, (Krishti Mbret).
Më tej konstatohet një traditë juridike e hershme për Kishën Katedrale të Drishtit, më e vjetër se Statutet “të parët tanë na kanë lënë disa kushtetuta të cilat nga ana tjetër rezultojnë ose të paqarta ose të pamjaftueshme. Prandaj – “na u dha leja nga Papa që, sa here ta kërkojë nevoja, të nxjerrim statute dhe urdhëresa që miratohen e përforcohen me autoritetin apostolik” .
Subjekt i Statuteve ishin klerikët dhe besimtarët e Kishës Katedrale të Drishtit dhe të kishave të tjera katolike në varësi të saj. Pranimi dhe zbatimi i Statuteve ishte një kërkesë themelore për bashkësinë e klerikëve dhe të besimtarëve. Kundërshtimi ose refuzimi i Statuteve sillte automatikisht përjashtimin e tyre nga kjo bashkësi.

Klerikët jetonin dhe ushqeheshin në mensa të përbashkëta. Statutet përcaktonin regjimin e bashkëjetesës, përfitimet dhe kontributin e secilit. Kisha zotëronte të ardhura nga shërbimet fetare, pronat dhe pasuritë e veta.
Pjesa kryesore e dispozitave të Statuteve rregullonte mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Kishës Katedrale të Drishtit.
Organi më i lartë drejtues ishte Kapitulli i Kishës Katedrale të Drishtit, (një lloj asambleje, kuvendi), i cili kishte kompetenca legjislative, miratonte dhe ndryshonte Statutet, shqyrtonte problemet kryesore të bashkësisë dhe zgjidhte drejtuesit e mandatuar. Ky kuvend zgjidhte çdo vit dy organet kryesore (individuale): rektorin dhe prokuratorin me mandat një vjeçar. Rektori ishte titullari kryesor i institucionit, prokuratori ishte administrator dhe drejtues i problemeve ekonomike. Ata jepnin llogari para zgjedhësve në mënyrë periodike gjatë vitit dhe në përfundim të mandatit.
Rektori dhe disa drejtues të tjerë ushtronin edhe pushtetin gjyqësor për bashkësinë e klerikëve dhe të besimtarëve. Në përbërje të kësaj gjykate bënin pjesë rektori, prokuratori dhe dy ose tre klerikë të moshuar, të cilët betoheshin se do të gjykonin me paanësi.
Pjesa më e madhe e normave juridike administrative rregullonin jetën e brendshme të institucionit si p.sh. kriteret dhe procedurat për t’u bërë klerik, të drejtat dhe detyrat, shërbimet fetare etj.
Statutet përmbanin norma juridike penale, të cilat përcaktonin disa figura krimi, si dhe ndëshkimin për secilën prej tyre. Subjekt i veprave penale ishin klerikët, si dhe besimtarët anëtarë të bashkësisë së Kishës Katedrale të Drishtit. Dënimet ishin karakteristike për të drejtën kishtare si p.sh. dëbimi nga bashkësia për një afat të caktuar, lëçitja (bojkotimi, ndërprerja e marrëdhënieve) dhe në raste më të rënda, shkishërimi. Në të drejtën kishtare përjashtohej arrestimi, burgimi ose përdorimi i forces së pushtetit laik.

Ndër veprat penale të parashikuara në Statute ishin p.sh. prishja e rregullit gjatë mbledhjes së kapitullit (kuvendit), nxjerrja e sekretit, vjedhja, mashtrimi, rrahja, fyerja, loja me të holla (me zare), mbajtja e femrave si konkubina ose sjellja e tyre në mjediset e katedrales, etj.
Statutet njihnin të drejtën e apelimit të vendimit ose të ridëgjimit për personat e dënuar, por gjithmonë brenda kapitullit (kuvendit), ku ishte shqyrtuar më parë.
Statutet njihnin zbatimin e normave juridike me analogji atëherë kur dispozitat mungonin, ishin jo të plota ose të pasakta. Kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, gëzonte të drejtën e interpretimit përfundimtar të normave juridike.

Në mbrëmje vonë përfundoi miratimi i Statuteve të Drishtit. I përndrituri Pal Engjëlli vuri firmën mbi dokumentin historik dhe uroi të pranishmit; pranë firmës së tij u vendos firma e noterit. Dorëshkrimi do të ruhej si një thesar në arkivin e Kishës Katedrale të Drishtit.
Mbi lartësitë e Drishtit frynin erërat e ftohta të janarit të v. 1468. I përndrituri Gj. K. Skënderbeu jepte shpirt në Lezhë, si dhe porositë e fundit për bashkëluftëtarët. Kisha katolike forconte strukturat e saj për betejat e ardhshme. Kur të vinte pranvera dhe të shkrinte dëbora në male repartet e akinxhinjve do të vinin përsëri të kafshonin me tërbim fshatrat shqiptare si ujq të uritur.
*Prof. Dr. Aleks Luarasi
Kryetar i Bordit të Administrimit
KU “LUARASI”

***
Shënim: Në v. 2005, dy kërkues shqiptarë, Dr. Musa Ahmeti dhe Dr. Etleva Lala zbuluan në arkivat e Danimarkës Statutet dhe Urdhëresat e Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit (Statuta et Ordinationes Capituli Ecclesiae Cathedralis Drivastiensis), Ombra GVG, Tiranë, 2009.
Pas Statuteve të Shkodrës, ky ishte një zbulim tjetër madhështor për historinë e së drejtës në Shqiperi. Në dallim nga Statutet e Shkodrës, që i përkisnin të drejtës qytetare laike, Statutet e Kishës Katedrale të Drishtit i përkisnin të drejtës kishtare të ritit katolik. Të dhënat e këtij shkrimi janë bazuar te ky punim.