Art & Kulturë

Zhvillimi i Antigonesë, “Qytetit të Dashurisë” së bashku me 100 fshatra të tjerë

Qyteti antik i Antigonesë u themelua nga Pirro, mbreti i fisit të Molosëve që shtriheshin në jugun e Shqipërisë e deri në veri të Greqisë, në vitin 295 para Krishtit.

Një qytet që u ngrit nga dashuria e Pirros me Antigonën e Ptolemejve prej nga të cilës mori edhe emrin, duke lulëzuar për plot 100 vjet dhe më pas u shkatërrua nga romakët në shenjë hakmarrje ndaj përkrahësve të Aleksandrit të Madh.

Antigonea u zhvillua si një qendër e rëndësishme ekonomike, sociale, kulturore dhe politike dhe në fund të shekullit të 3-të e në fillim të shekullit të 2-të para Krishtit, ajo mori formën e “polis” (qytet – shtet) dhe u kthye në një nga vendet më të rëndësishme të antikitetit.

Sot Antigonea është një grumbull rrënojash murale që shtrihet në kodrat e buta të Luginës së Drinos. Përreth saj, janë ngritur fshatra me emra të ndryshëm, por që në themelin e tyre kanë Antigonenë e Pirros.

Ky qytet vizitohet nga shumë turistë e njerëz, të cilët shohin më nga afët lavditë që këto rrënoja kanë patur dikur. Ai ndodhet afër qytetit të Gjirokastrës dhe rruga që të çon drejt tij është mjaft e mirë.

Mbështetja dhe zhvillimi ekonomik i këtyre fshatrave dhe në veçanti i Antigonesë, do të sillte mjaft vizitorë të huaj dhe vendas, që të shikonin nga afër themelet ku u ngrit qyteti i dashurisë dhe se si trashëgimtarët e Pirros jetojnë, punojnë dhe zhvillojnë trashëgiminë e tij.

Në Luginën e Drinos ka dhe mjaft fshatra të tjerë që janë pjesë e projektit të 100 fshatrave me prioritet në zhvillimin e tyre ekonomik dhe turistik.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).