Kalaja e Rozafës në Shkodër është bërë pikëqendra për ekspeditën arkeologjike polake, e cila ka disa ditë që po kryen gërmime në këtë kala dhe në pjesën përreth saj.
Një zbulim i jashtëzakonshëm ka dalë nga këto gërmime, ku arkeologët kanë gjetur skeletin e një njeriu që mendohet se është 900 vjeçar. Ata mendojnë se ky skelet i përket një personi që ka jetuar në shekullin e 12-të, pra në kohën e pushtimit turk, por mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht.
Për ta vërtetuar këtë gjë, skeleti do të dërgohet për ekspertizë në një laborator në shtetin francez, ndërsa përgjigja do të vijë vetëm pas një viti.
Përgjegjësi i arkeologjisë në Shkodër, Helidon Sokoli shprehet se këto kërkime synojnë të zbardhin lashtësinë e kështjellës së Rozafatit, konkretisht gjetjen e gjurmëve helenistike.
“Kemi vazhduar me disa kërkime në tre oborret e kalasë për të parë shtresëzimin e strukturave duke filluar që nga ato më të vonat otomane mesjetare, veneciane për të vazhduar më thellë me të antikitetit. Kemi disa ditë që kemi filluar dhe jemi akoma në shtresat e periudhës otomane mesjetare”, ka deklaruar Sokoli.
Gjithashtu, ai ka shprehur interesimin e këtij komuniteti për të zbuluar fazat e zhvillimit të kalasë që prej antikitetit të vonë e deri në fazat helenistike, për të cilat duhet të gërmohet edhe më thellë që të gjenden gjurmë.