Një kopje e lashtë e Kur’anit e gjetur në Universitetin e Birmingemit, mund të ketë qenë pronë e Abu Bakr, një prej myslimanëve të parë në botë.
Pas analizës me radiokarbon që iu bë këtij dorëshkrimi, u zbuluan fragmente që mund të jenë të paktën 1370 vjeçare, duke rritur kështu mundësitë që ajo të jetë kopja më e lashtë që ekziston e librit të shenjtë të Islamit.
Jalam bin Huvareib, drejtori i Fondacionit për Studime Islamike “Rashid Al Maktoum” në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka sugjeruar se një dokument i tillë mund të jetë porositur vetëm nga një grup mjaft i ngushtë njerëzish e mundësisht nga vetë Abu Bakr.

Abu Bakr
Abu Bakr mendohet se ka qenë personi i parë jashtë familjes së profetit Muhamed që është konvertuar në fenë myslimane. Ai ishte miku i ngushtë e i besuar i Profetit dhe u bë kalifi i parë mysliman në vitin 632, ku sundoi për 27 muaj deri në vdekjen e tij më 634.
Mosha e Kur’anit të Birmingemit na lë të besojmë se ai mund të jetë krijuar në vitet e para të fesë Islame, atëherë kur popullsia globale myslimane përbëhej nga disa qindra persona.
“Unë besoj se ky është Kur’ani i Abu Bakr”, tha Huvareib pasi u gjet dorëshkrimi që e cilësoi si zbulimin më të rëndësishëm që është bërë ndonjëherë.
Cilësia e këtij Kur’ani dhe shkrimi i tij sugjeron se mund të jetë krijuar vetëm për një figurë të rëndësishme të asaj kohe.