Qyteza Uzunköprü në provincën e Edirnes, Turqi ka dërguar sërish aplikimin për të hyrë në Librin e Rekordeve Guiness për urën e saj të gjatë, e cila ndodhet në këtë zonë.
Sipas kryetarit të bashkisë Enis İşbilen, ky riaplikim ndryshon nga hera e parë që ata aplikuan për t’u bërë pjesë e këtyre rekordeve falë një shtojce: Kështu Ura e Gjatë, prej nga ka marrë edhe emrin kjo qytezë, pritet të listohet si “ura më e gjatë e gurit në botë ku mund të kalojnë automjete”.
Kjo urë e humbi garën e “urës së gurtë më të gjatë në botë” ku u mposht nga një urë në Kinë e cila është më e gjatë.
“Ne kishim aplikuar në kategorinë ura më e gjatë e gurit në botë. Megjithatë, mësuam se një urë në Kinë është dy metra më e gjatë. Ne bëmë një aplikim të ri në kategorinë ura më e gjatë e gurit në botë në të cilën mund të kalojnë automjete. Pra, ne kemi shtuar edhe gjerësinë e saj në aplikim. Në urën në Kinë nuk kalojnë automjete. Duke hyrë në Guinness, ne duam ta promovojmë edhe qytezën tonë edhe urën”, tha İşbilen.
Ura 600-vjeçare gjendet edhe në listën e përkohshme të Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s. İşbilen njoftoi se në urë duhet të nisin punime për restaurim, për shkak të disa plasaritjeve që kanë filluar të paraqiten në harqet e urës.
Ura e Gjatë është vepër historike osmane, e cila lidh Anadollin me Ballkanin. Më herët ajo njihej me emrin Ura Ergene, ndërsa është ndërtuar mes viteve 1426-1443 nga kryearkitekti i asaj kohe Muslihiddin, me urdhër të Sulltan Muratit të Dytë.
E gjatë 1.393 metra dhe e gjerë 6,8 metra, ura ka 174 harqe. Ura e gurit është ndërtuar pas shkatërrimit të urave të mëparshme që ishin bërë prej dërrase.