Hapësira ekspozitive ‘Unë dhe Europa’ i dedikohet kuptimit të së shkuarës dhe së ardhmes së përbashkët të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Kjo hapësirë u ideua nga një grup profesionistësh të rinj dhe energjik, të cilët ushqejnë njëzëri aspiratën për t’ju bashkuar familjes Europiane, të ndërgjegjshëm për mundësitë dhe sfidat e mëdha që kjo bart, pas një dekade studimi dhe jetese në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
E mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, ‘Unë dhe Europa’ është një vendtakim për të gjitha moshat, ku ju mund të ballafaqoni pikpamje të ndryshme dhe zbuloni pika takimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, në këtë rrugëtim të gjatë 20 vjeçar.
Ju mund të merrni më shumë njohuri mbi marrëdhënien e vendit tonë me Bashkimin Europian, e të imagjinoni të ardhmen në të. Kjo hapësirë bart mes vetes, mjaft ditë pune të përbashkëta e një investim intelektual për të nxitur gjithashtu një debat të gjerë publik mbi hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
‘Unë dhe Europa” është një platformë ndërlidhje, ku ju bëheni pjesëmarrës dhe mësoni duke shijuar këtë eksperiencë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur përgjatë periudhës 7 – 16 Dhjetor 2017 tek Muzeu Historik Kombëtar, hyrja anësore nga Hotel Tirana International.