Shëtitores së Dhërmiut, fshatit me një bukuri madhështore pranë bregdetit të Jonit, do t’i shtohet një shesh panoramik, që do të shërbejë si një pikë takimi për njerëzit.
Shëtitorja e re do ta kthejë Dhërmiun në një destinacion akoma më të kërkuar nga turistët. Pas përfundimit edhe të Ujëvarës së Shkronjave, ajo do të jetë akoma më shumë atraktive për turistët e huaj, që ende se kanë eksploruar Shqipërinë.
Projekti i ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon shndërrimin e Dhërmiut në një qendër autentike dhe atraktive jo vetëm për turizmin bregdetar, por edhe për zhvillimin e turizmit kulturor të zonës.
“Fasada, çati, kalldrëm dhe sheshe të rinovuar në fshatin e Dhërmiut. Në plazh pas shëtitores po bëhet gati ujëvara e shkronjave dhe atraksione të tjera”, shprehet FSHZH.
Dhërmiu i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më tepër se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit.
Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit.