Art & Kulturë

Plejada e largët, Premiera shqiptare. ‘Thesaret e Arkivit’

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ju fton të mërkurën, 6 mars, 19:00, në Kinemanë Agimi për shfaqjen e katërt të ciklit “Thesaret e Arkivit”. Qëllimi i AQSHF-së nuk është vetëm rizbulimi i veprave të kinematografisë sonë, por të sjellim për publikun e Tiranës edhe filma të jashtëzakonshëm nga rajoni dhe bota. Ju mirëpresim javën e ardhshme për PREMIERËN SHQIPTARE të një dokumentari të veçantë që shumë kritikë e votuan si një nga filmat më të mirë të vitit 2018. PLEJADA E LARGËT është filmi debutues i regjisores Shevaun Mizrahi, e cila gjithashtu e xhiroi dhe montoi vetë atë. Personazhe sa të mençur e gazmorë, aq dhe tragjikë, jetojnë në një shtëpi pensionistësh turq duke formuar një univers që pak nga pak do humbasë nën hijen e një pallati të madh në ndërtim e sipër në Stamboll. Ky këndvështrim i mrekullueshëm i Shavin Mizrah ka fituar çmime në festivalet e Viennales, St. Petersburgut dhe Locarnos, si dhe u vlerësua si “Filmi më i Mirë në Ballkan” në edicionin e fundit të Dokufest-it. Disa kritikë e kanë krahasuar filmin PLEJADA E LARGËT me punën e regjisorit Andrei Tarkovsky, ndaj mos e humbni. Në turqisht, frëngjisht dhe anglisht me titra shqip. Bileta kushton 300 lekë.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).