Art & Kulturë

“Udha e qumështit”, Egla Ceno sjell në Teatrin Skampa 33 personazhe! Ja kur mund ta shihni shfaqjen

Shfaqja teatrore “Udha e qumështit” e shkruar dhe me regji nga Armand Bora vjen më 22 shkurt premierën në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan. Vepra në skenë interpretohet nga aktorja e njohur Egla Ceno, që do të sjellë në skenë 33 personazhe. Regjisori Armand Bora tregon se vepra është pjesë e trilogjisë së të Mbijetuarve. “Vepra “Udha e qumështit”, me “Ata hyjnë pa trokitur” dhe “Domino” është pjesë e trilogjisë së të Mbijetuarve”.

“Udha e qumështit” është një monoperformancë, që zgjat rreth 1 orë e 20 minuta dhe aktorja Egla Ceno, rrëfen historinë e një gruaje që u procesua vetëm sepse theu shihen në radhën e qumështit. Por këtë sipas regjisorit ajo e bën duke kaluar në 33 situata të ndryshme e “veshur” me karakteret 33 personazheve. “Tema merr nga periudha para viteve ’90, pra nga koha e komunizmit. Ndryshe nga dy veprat e tjera që janë drejt një teatri tradicional “Udha e qumështit” në vetvete përmban një eksperiencë të veçantë, që nuk është bërë ndonjëherë të paktën në Shqipëri. Bëhet fjalë për një histori të shkurtër, një histori që ka ndodhur para viteve ‘90 me një personazh konkret real. Një grua nënë e një fëmijë ngrihet në mëngjes për të blerë një qumësht dhe shkon në rradhë. Por pasi merr qumështin ajo shikon se ai është i ndotur dhe e derdh. Por pas këtij veprimi atë e arrestojnë dhe zhvillohet një proces hetuesie. Në këtë hetuesi janë 33 personazhe të ndryshëm, të cilët deponojnë atë që kanë parë, e njëjta ngjarje por në 33 mënyra dhe forma si dhe karaktere të ndryshme”, tregon regjisori Armand Bora për premierën më 22 shkurt në teatrin “Skampa”, por do të vijojë dhe mbrëmjet e datave 23 dhe 24 shkurt në Elbasan. Pas qytetit të Elbasanit vepra teatrore do të jetë dhe në skenën e Tiranës. Sipas regjisorit në datat 8, 9 dhe 10 mars do të jetë për publikun premierë te “arTurbina”.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).