Art & Kulturë

Miqtë e vegjël të librit njihen me Bibliotekën Kombëtare

Biblioteka Kombëtare po mirëpret përherë e më shumë nxënës shkollash për t’i njohur ata me librat dhe për t’i sensibilizuar që kohën e lirë ta shpenzojnë në mënyrë produktive duke lexuar libra me personazhet e tyre të preferuar.

Në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, nismë e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, nxënës të shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë u takuan me specialistë të BKSH-së, ku u njohën më nga afër me ‘shtëpinë e librit’, me programet krijuese, klubet e leximit që zhvillohen në bibliotekë, programet e mësimit përmes lojës, etj.

Përmes leximit të pjesëve të zgjedhura nga vetë nxënësit nga libri “Mua më quajnë Bethoven”, miqtë e vegjël të librit ndanë me njëri-tjetrin kënaqësinë e leximit dhe kërshërinë për të njohur jetën e kompozitorit.

Ky program ka si qëllim edukimin e vazhdueshëm dhe nxitjen e leximit për grup-mosha të ndryshme përmes aktiviteteve njohëse dhe informuese.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).