Shfaqja “Tri gra dhe Misugi” rikthehet për publikun në ditën e të dashuruarve në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Me regji nga Suela Bako shfaqja vjen për publikun nën interpretimin e aktorëve Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj.
“Tri gra dhe Misugi”, vjen si një dramë nga kultura e largët orientale bazuar në novelën “Çiftja” të shkrimtarit japonez Yasushi Inoue.
Në thelb të dramës, janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tre personazhe: aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët.
Vepra e cila pati premierën në 18 tetor të vitit të kaluar dhe është shfaqur tashmë dhe në Kosovë, rivjen në Tiranë në datat 14,15,16,17 dhe 18 shkurt për të vijuar në Teatrin Eksperimental sërish javën pasardhëse.