Ai, është një burrë i fortë dhe i zgjuar, emigrant në Amerikë, me një krenari të përdhosur , në një shoqëri që vazhdimisht ndryshon. Ajo, është një grua simpatike, e cila lejon që megalomania e saj ta shkatërroj atë, por pas vështrimit krenar të saj, fshihet një viktimë e lehtë, e torturuar nga dashuria, humbjet, jeta e rreme, shpresat dhe vetë jeta. Takimi i Stenli Kovalskit me Blansh Dy Bua, dy karaktere legjendare të dramaturgjisë botërore, rezulton të jetë fatal.
Dy protagonistët kryesor në kryeveprën e Tennssee Williams, na vërtetojnë se refuzimi i realitetit, dëshira për tu rikthyer tek e pafajshmja dhe arratisja drejt një bote imagjinare, janë mendime dhe dëshira bashkëkohore të cilat shprehin veçanërisht njeriun e kohëve moderne. “Tramvaji Dëshirë” një nga veprat më të kërkuara të Williamsh do të ngjitet më 14-15 tetor në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Një vepër që dëshmon poezinë në teatër, sjellë nën regjinë e Kiço Londos, Endri Çela, Dajana Nenaj.
Lëvizjet, mënyra sesi repertori i TKEKS gjarpëron , rreshket brenda dhe jashtë kohës dhe brenda ndërgjegjes tonë ka arritur në shfaqjen e “Tramvajit”… të kombinoj realizmin me ekzaltimin poetik duke sjellë në skenë një tjetër prej kuarteteve protagonist më të fuqishme të stinës teatrore. Myzafer Ziflaj, Ina Gjonçi, Genci Fuga dhe Laura Nezha, aktorë me qëndrime të ndryshme skenike, gjallërojnë një histori sa te egër aq edhe të ndjeshme, sa të zgjuar aq edhe tragjike, sa komplekse aq edhe të thjeshtë, me dozën e duhur të butësisë dhe tensionit. Në role të tjera intepretojnë Adriana Tolka, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Ermal Rodi, Xhuliano Brisku dhe Merita Dabulla. Tramvaji dëshirë e Williams është e zjarrtë, e papërpunuar, e stuhishme, e dhimbshme, vazhdimisht emocionuese dhe çuditërisht prekëse përgjatë studimit të depresionit që kalon një grua.