Margaret Atwood, Dan Brown dhe Nicholas Sparks janë ndër autorët dhe emrat më të mëdhenj që do të zbresin në Panairin e Frankfurtit, që do të hapet këtë të martë, ndërsa panairi më i vjetër i librit në botë po bëhet për brezin e Instagram-it, shkruan The Guardian.
Hapjen zyrtare të këtij panairi do ta bëj presidenti francez Emmanuel Macron së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Pasi panairi i vitit të kaluar u përqendrua në mënyrat se si botuesit të përdorin teknologji të reja, si realiteti virtual dhe printimi 3D, këtë vit organizatorët po kthehen përsëri në fillimet e botimit duke u dhënë vëmendjen përsëri shkrimtarëve dhe lexuesve të tyre.
“Ekziston një dëshirë për t’i parë autorët, për t’i prekur ata në jetën reale”, tha zëdhënësja e panairit Katja Böhne para gazetarëve përpara ngjarjes pesëditore, që pritet të tërheqë më shumë se 270,000 vizitorë.
“Libri është më i gjallë se kurrë, “tha Böhne, duke përshkruar një prirje në rritje të adhuruesve që radhiten për të parë autorin e tyre të preferuar në një atmosferë si të “pop-koncerteve “.
Franca është shteti mysafir në këtë panair dhe do të sjellë më shumë se 180 shkrimtarë në Gjermani, duke përfshirë disa nga autorët më të njohur të gjuhës franceze në botë. Ndërsa shfaqja e përbashkët e Macron dhe Merkel në këtë panair vjen pasi udhëheqësi francez kërkon të forcojë partneritetin e dy vendeve në shtytjen e tij për reformat evropiane.
Panairi i Librit në Frankfurt është ngjarja më e madhe botuese në botë, duke mbledhur së bashku më shumë se 7,000 ekspozues nga më shumë se 100 vende të botës. Ndryshe, kjo ngjarje daton që nga mesjeta, e cila pati një zhvillim të hovshëm pas shpikjes së shtypshkronjës së Gutenbergut në Mainz.