Andon Zako Çajupi, lindi në Sheper të Zagorisë. Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati.
Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, ku atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat.
Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe.
Më 1909 botoi shkrimin e njohur ‘Klubi i Selanikut’, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre e nxorën Çajupin në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt.
Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.
Veprat
“Baba Tomori” – (Kajro 1902)
“Dhjata e vjetër e shfaqur” – satirë ose “Baba Musa lakuriqë”
“Burri i dheut” – tragjedi (1908)
“Pas vdekjes” – komedi
“Katërmëbdhjetë vjeç dhëndër” – komedi
Krijimtaria
Krijimtaria e Çajupit si poet është e gjerë, por vepra e tij kryesore është “Baba Tomorri”, një nga përmbledhjet poetike më të rëndësishme botuar gjatë Rilindjes. Interesi i gjallë që zgjoi ajo, pritja që iu bë nga lexuesit e kritika e kohës, lidhet me forcën e fjalës poetike të Çajupit me rininë e frymëzimit të tij si poet që do të shprehte aspiratat, ëndrrat dhe idealet e një faze të re të lëvizjes kombëtare, e cila në fillim të shekullit tonë njohu një ngritje të përgjithshme që shpuri në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 dhe në fitoren e pavarësisë.

“Baba Tomorri” shënonte një nga kulmet e poezisë së Rilindjes, pra me “Baba Tomorrin” i hapeshin shtigje të reja poezisë shqiptare, frynte në të një flladi i ri dhe hynte në të një notë e re, më e fortë dhe më konkrete nga fryma sociale. Prandaj “Baba Tomorri” si vepër qëndron në kapërcyell të dy epokave, me rrënjë të forta në traditën romantike të Rilindjes, si vazhdim i saj, dhe me vështrim nga horizontet e një poezie të ardhshme realiste dhe sociale.
Fryma popullore, me të cilën janë gatuar vjershat e “Baba Tomorrit”, u dha atyre një vulë origjinaliteti të veçantë, një tingëllim aq magjepsë për veshin e lexuesve, sa ato u bënë shpejt popullore dhe pushtuan zemrat e tyre.
Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” përbëhet nga tri pjesë që autori i titullon: “Atdheu”, “Dashuria” dhe “Përralla të vërteta e të rreme”.
Motivi atdhetar, dashuria për baltën dhe gurët e mëmëdheut dhe malli për ta, kujtimi i së kaluarës heroike dhe krenaria për traditat e të parëve, dëshira për ta parë atdheun të lirë dhe thirrja për të rrokur armët kundër pushtuesit, i japin poezisë së Çajupit atë tharm frymëzimi dhe atë patos luftarak që e bën të hyjë thellë në shpirtin e shqiptarit dhe ta tronditë atë.
Tema atdhetare fiton në poemën e Çajupit një përmbajtje konkrete e të prekshme, sepse ai shprehu ndjenjat dhe mendimet e njeriut të thjeshtë, të bujkut e të bariut, lidhur me baltën e mëmëdheut dhe me varret e stërgjyshërve. Mëmëdheu është si toka ku njeriu lind, mëson gjuhën e nënës, njeh prindërit, ku rron me ëndrra dhe me shpresa, ku dëshiron të ketë varrin. Ky vend për shqiptarin është Shqipëria.