Data 23 prill shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit. Gjatë kësaj dite, Marie Poradeci, vajza e autorit të njohur Lasgush Poradecit, ka shprehur mendimin e saj mbi situatën letrare në Shqipëri.
Sipas saj, Shqipëria noton në një absurd të madh të moszbatimit të ligjit. Lexoni mëposhtë reagimin e saj.
“Kur flitet për të drejtën e autorit apo për pronësinë intelektuale në vendin tonë është akoma e paqartë se për çfarë bëhet fjalë dhe deri ku është kufiri për të mos cënuar këtë të drejtë. Për të Drejtën e Autorit, Shqipëria noton në një absurd të moszbatimit të ligjit. Çdo lloj cënimi i të drejtës së autorit dhe të të drejtave të tjera të lidhura me të, është mundësi për ndëshkim dhe për dëmshpërblim të rëndë, pasuror dhe moral. Cënimi i të drejtës së autorit përbën vepër penale të rëndë në botën e qytetëruar, por në Shqipëri, gjendja faktike është katastrofike. Deri kur kështu do të vazhdojnë të na vjedhin në mënyrë të hapur pasurinë tonë intelektuale?”, shprehet Marie Poradeci.