Më 2 mars 1444 u mbajt Besëlidhja e Lezhës në katedralen e Kishës së Shën Kollit të qytetit të Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Kjo besëlidhje u bë një nga momentet më kulminante të luftës së shqiptarëve kundër pushtuesit osman, duke u bërë kështu bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur deri më tani në historinë e Shqipërisë.
I udhëhequr nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, në këtë takim morën pjesë Princërit shqiptarë.
Qëllimet e këtij Kuvendi ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi me këtë do të ndalohej apo së paku, do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vetvete sillte edhe fenë islame.

Vendimet e kuvendit ishin:
- Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
- Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
- Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.