Sezoni turistik ka nisur me fluks vizitorësh në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”. Gjatë muajit prill ky muze ka mirëpritur 590 vizitorë më shumë ose 52% më shumë vizitorë sesa e njëjta periudhë gjatë 2018.
Shumica e vizitorëve të huaj në muajin prill ishin italianë, francezë dhe amerikanë.
Ky muze gjatë periudhës janar-prill 2019 është vizituar nga 1221 vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2018 ose ndryshe 40% më shumë vizitorë. Vizitorët gjatë këtyre muajve ishin 60% vendas dhe 40% të huaj.
Vizitat e shumta në këtë muze gjenerojnë dhe të ardhura pasi turizmi është një motor zhvillimi ekonomik. Të ardhurat në muze u rritën me 59% ose 466.190 lekë më shumë gjatë këtyre muajve krahasuar me periudhën janar-prill 2018.
Ky muze, ose thesari i memories sonë kolektive, do vazhdojë të mbetet një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët, pasi tregon shumë për të kaluarën e vendit tonë përmes dëshmive dhe objekteve që përmban.
Turistët e huaj gjithnjë e më shumë po vizitojnë këto vende pasi kanë interes të mësojnë më shumë rreth historisë dhe të kaluarës tonë.