Art & Kulturë

Shqiptarët e Rumanisë përmes fotografive dhe materialeve arkivore

“Atdheu në numrin shumës. Shqiptarët e Rumanisë, emigrantë, jo të huaj” është ekspozita e radhës nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Ekspozita e kuruar nga specialistë të Promovimit dhe Komunikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, përmban fotografi dhe dokumente, ku paraqitet veprimtaria kulturore dhe politike e shqiptarëve të vendosur në Rumani që prej vitit 1602.

Ajo vjen në kuadër të konferencës Shkencore “Tiranë – Bukuresht: Historia e zhvillimit social e kulturor e dy kryeqyteteve”. Me po të njëjtin titull Muzeu Historik Kombëtar prezantoi ekspozitën me libra, gazeta dhe objekte, mes të cilave edhe Kallamarin e përdorur nga Asdreni dhe Flamurin e Kolonisë Shqiptare në Rumani, përdorur gjatë viteve 1938-1953.

Konferenca është e organizuar nga bashkia Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri, Muzeun Historik Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Në këtë event ishin të pranishëm, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Mircea Perpelea, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, Prof. Dr. Mimoza Karagjozi-Kore, Prof. Asoc. Dr. Eva Hyska, Prof. Dr. Paskal Milo, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido, studiues, etj.

Në njërën stendë paraqitet vendimi i bojarit Simion Mohila, Princ i Vllahisë, përmes të cilit lejohen shqiptarët e emigruar nga fshati Cërvena Vodë në Turqi të vendosen në fshatin Palinesht të Prahovës, duke u përjashtuar nga taksat për 10 vjet. Përmes këtij vendimi lejohej që komuniteti shqiptar të krijonte organizmat e vet administrativë, ku ishte i lirë të vendoste për çështjet e brendshme të komunitetit, dhe ndaj sundimtarit të vendit kishte detyrim t’i paguante taksat (pas 10 vitesh) dhe t’i përgjigjej për krime penale. (1 maj 1602)

Në stenda të tjera gjendet procesverbali i mbledhjes së parë dhe Statuti i Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Drita” në Bukuresht, 27 dhjetor 1884, memorandum i Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Drita” në Bukuresht drejtuar kryetarëve të Fuqive të Mëdha, ku kundërshtojnë projektet e sllavëve për pushtimin e Ballkanit dhe mbështetin formimin e një shteti shqiptaro-maqedon, për të siguruar paqen në Ballkan.

Gjenden fotografi të anëtarëve të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, si Dhimitër Berati,  Rafaelo Anastasiu, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Luigj Gurakuqi, Filip Gjeka, Pandeli Evangjeli, Dervish Biçaku, Kristo Meksi, Andon Eftimin e Sotir Peci.

Ekspozita përmban dhe mjaft materiale të tjera të paraqitura në 15 stenda të cilat ngjallën interes dhe kureshtje të madhe tek të pranishmit.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).