Art & Kulturë

Shqipëria, bukuria e harruar ballkanike e Europës

Grekët antikë, ilirët e dhënë pas bizhuterive – paraardhësit e shumë prej shqiptarëve të sotëm – të ndjekur nga romakët, bizantinët dhe osmanët, të gjithë e dëshironin një copëz Shqipërie. Dhe kush mund t’i fajësojë ata? Sipas italianëve dhe grekëve të sotëm, Shqipëria është një vend miqësor, me njerëz mikpritës dhe një tokë e mbushur me thesare natyrore dhe antike.

Është e vërtetë që resorteve të saj bregdetare u mungon ndjesia luksoze mesdhetare. Por, kjo është një bukuri ballkanike tolerante e një kohe tjetër, ku ikonat në të kuqe të fortë ortodokse dhe mozaikët rrethorë islamikë hijeshojnë krahë njëra-tjetrës vendet e shenjta, ndërkohë që gurët gëlqerorë i shtojnë një dimension shndritës fortesave majë kodrinave dhe lëndinave me bimësi të egër.

Por, pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, një vend që u mbyll si fizikisht ashtu edhe kulturalisht, u mbulua nga perdja e hekurt e sundimit komunist.

Gjurmë të gjalla të atyre viteve të egra, në mënyrë më dramatike janë të shprehura në formën konkrete të bunkerëve bërthamorë, të mbirë kudo si kërpudha që shënojnë relievin.

Prej 700 000 të tillëve, rreth 175 000 ishin të vështirë për t’u hequr dhe kanë mbetur ende tani si ikona të jashtëzakonshme, shpesh të kthyera në hambarë drithrash.

Fermat e vogla familjare në Shqipëri mbeten të paprekura nga pesticidet po ashtu si edhe fauna e egër. Sot, kjo do të thotë parajsë organike për prodhimtari dhe një vend ushqimesh të shijshme dhe trëndafilash kacavjerrës.

Tirana është një vend i hareshëm dhe i sigurt, pothuajse sureale. Pjesërisht mesdhetare, pjesërisht një relikë sovjetike, pallatet e saj shumëngjyrëshe si ylberi, janë të lyera kështu sipas urdhërit të njërit prej kryebashkiakëve të mëparshëm për t’i sjellë gëzim qytetit, por që tani duken si pastele paksa të venitura.

Shqipëria ka një flamur të mrekullueshëm, një ngjyrë të kuqe të ndezur të dominuar nga një shqiponjë sqepzezë dykrenëshe, që thuhet se nënkupton guxim dhe trimëri. Imazhet të saj shfaqen kudo nëpër ndërtesa, ndonjëherë në garë me arushët e pellushit që gjithashtu valëviten jashtë shtëpive, hajmali që besohet se largon të keqen.

Ndoshta për arsye të mira, banorët e Tiranës shohin anën pozitive të jetës.

Pyetini rreth reputacionit të Shqipërisë si një vend që prodhon banditë dhe shqiptarët premtojnë, duke bërë shaka se ”këtu të ne nuk ka probleme. I kemi eksportuar të gjithë kriminelët”.

Dizenjot e modernistëve Italianë ishin edhe skicat e 1920 për Tiranën e sotme, ku bulevardet me pemë në anë lidhin sheshet e bardha të stilit futurist ”Nënë Tereza” dhe sheshin ”Skënderbej” – i fundit i emërtuar sipas mbrojtësit mesjetar të kombit, një luftëtar trim dhe i ashpër, i vendosur lart mbi shpinën e një kali kryelartë.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).