Art & Kulturë

“Shirli Valentina” rikthehet në skenën e “ArTurbina” , të ardhurat nga biletat në ndihmë të të prekurve nga tërmeti

”Shirli Valentina”, nën një interpretim të shkëlqyer të aktores Olta Daku, me regji të Driada Dervishit do të rikthehet në skenën e “ArTurbina” në datat 7-8 dhjetor të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thotë se në këto ditë të vështira, të gjitha institucionet kulturore kanë ofruar ndihmën e tyre për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Jo vetëm ndihma në ushqime dhe veshje, por edhe shfaqje për fëmijët, që ndodhen në qendra sociale apo komplekse hoteliere në Durrës, Lezhë, Kombinat etj.

“Teatri Kombëtar ka ndërmarrë një tjetër nismë. Bashkë me optimizmin që sjell Shirli Valentina, vjen edhe ndihma për të prekurit. Në datat 7-8 dhjetor, në “ArTurbina”, salla e madhe 400, rikthehet në skenë “Shirli Valentina”, nën një interpretim të shkëlqyer të aktores Olta Daku, me regji të Driada Dervishit.

Të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të shfaqjes, do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti”, -thotë Margariti.

Ministria e Kulturës inkurajon dhe mbështet të gjitha institucionet kulturore, që t’i bashkohen kësaj nisme, duke iu gjendur pranë të gjithë atyre, që sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë për të gjithë.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).