Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë prej javësh tashmë se Teatri Kombëtar ekzistues do të shembet dhe në vend të tij do të ndërtohet brenda vitit tjetër një teatër me kushte moderne, nëpërmjet një partneriteti Publik-Privat.
Por, pavarësisht prezantimit të këtij projekti që ai ka bërë përballë artistëve dhe personaliteteve të ndryshme, aktorët nuk e pranojnë ende këtë vendim.
Në një takim që është zhvilluar ditën e djeshme për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, aktori Robert Ndrenika ka qenë sërish në qendër të debatit, ku ka shprehur për të disatën herë qëndrimin e tij kundra këtij ndërtimi të ri.
“Mua nuk ma heq njeri nga mendja, se edhe Maqedonia u bën teatër shqiptarëve. Pra, nuk jam fare dakort me formulën PPP. Më paraqiti Z. Kapexhiu një variant, më pëlqeu. Ka disa variante. Le të bëjnë ato 6-7 kulla që duan të bëjnë. Ne le të na japin sheshin përpara të vëllezërit Frashëri. Pra ka variante”, ka deklaruar Ndrenika.
Sipas aktorit, varianti i ndërtimit të teatrit me formulën PPP është jo ideali, pasi në të gjitha këndvështrimet privati është subjekti që do të përfitojë nga kjo marrëveshje dhe jo teatri.