Iskra Thoma, kritikja e parë grua në vitet ‘80-’90 e cila jeton në Itali është rikthyer në atdhe, por jo duarbosh. Ajo ka publikuar librin e saj të ri “Jetë buzë detit” me novela, tregime dhe publicistikë që vjen nga shtëpia Botuese “Emal”.
Të njihemi pak me këtë libër!
Vetë shkrimtarja, Iskra Thoma është shprehur se libri “Jetë buzë detit” është kurorëzimi i një pune shumë të gjatë në vite.
Titulli i librit, lidhet me faktin që Shqipëria dhe Italia, dy vendet ku vetë zonja Thoma ka jetuar, i ndan vetëm deti. Prandaj është edhe ky titull “Jetë buzë detit”.
Brenda librit gjenden rreth 14 publikime, ku rreth 3 apo 4 janë novela, janë pak më të gjata. Madje njëra prej tyre mund të bëhej edhe roman, sipas autores. Bëhet fjalë për novelën “Riti i lamtumirës” që është shkruar në pak ditë, por është ripunuar gjatë. Është një novelë e mbushur me figura letrare, me metafora etj. Flitet për ritin e vdekjes në një vend siç është Italia. Ka elementë etnografikë, elementë ekzistencialistë dhe gjithashtu ka retrospektivë.
Në këtë libër trajtohen edhe tema aktuale që trajtojnë një problematikë të kohës, mesazh edhe ide që ndihmojnë edhe lexuesin në zgjidhjen e mjaft problemeve të tij. Disa tregime nxisin jo vetëm emancipimin e gruas, por emancipimin e njeriut në përgjithësi. Ka tregime që japin mesazhe të rëndësishme, të tilla si tregime për emigracionin. Më parë emigronin burrat, por në një prej tregimeve flitet për emigrimin e një gruaje.
Shkrimtarja, Isrka Thoma ishte një grua, sa dinjitoze, aq edhe misterioze. Kur bota e letërsisë dhe arteve në Shqipërinë e diktaturës gjatë viteve ‘80-’90, po nxirrte filizat e brishtë të modernitetit, do të luante rolin e saj edhe kritika letrare. Ajo nisi të shkëputej nga patetizmi ideologjik, për t’iu qasur më shumë vlerave të krijimtarisë, stilit, risive, figurave letrare.
Asokohe Iskra Thoma kishte vendosur t’i futej një rruge të pashkelur të bërjes së kritikës letrare në Shqipëri. Por ndërsa strukturat e hierakive të letrave shqipe nisën të degradojnë menjëherë pas rënies së diktaturës; duke nisur që nga mbyllja e portave të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, tek degradimi i Kinostudios “Shqipëria e re” dhe deri tek gjiganti i botimeve të letërsisë shqipe dhe asaj botërore “Naim Frashëri”, Iskra Thomait i duhej të gjente rrugë të reja për të shprehur talentin dhe dhuntitë e saj. Emigroi si shumë shqiptarë pas viteve ’90 drejt shtetit fqinj, Italisë. Por, dhe atje nuk e ndali pasionin e saj, duke u marrë me përkthime autorësh të njohur, me kritikë, studime dhe krijimtari.
Siç do të shpreheshin kolegët e saj Iskra Thoma ka shkruar një prozë që të bën për vete, të emocionon dhe të vë në mendime.