Restauruesit e ikonave nxjerrin në dritë ‘thesaret e fjetura’ të Beratit

Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku janë të përqendruar, me vështrimin e ngulitur mprehtë mbi dy ikonat që i kanë vënë në tavolinat e punës pranë një dyzine shishesh me dezinfektantë, vegla dhe lëndë të tjera që i japin jetë punës së tyre restauruese. Ata janë kërrusur prej disa muajsh mbi tavolinën e punës si “mjekët në një operacion zemre” mbi dy ikona të shekullit të XVIII të venitura prej kohës, por dalëngadalë pamja dhe ngjyrat në dy pikturat kishtare kanë filluar të bëhen sërish të qarta.

Të pikturuara nga ikonografët e familjes Çetiri (Katro), ikonat “Profeti Ilia” dhe ‘Hyrja në Jeruzalem” do t’i shtohen në fund të restaurimit ekspozitës “Thesaret e fjetura”, në katin e dytë të Muzeut “Onufri” në Berat.
Ekspozita qe një nismë e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat (QKMB) Agron Polovina, i cili vendosi në vitin 2014 të nxirrte nga magazinat ku ruheshin disa nga veprat e harruara të artit kishtar të Beratit për t’i ekspozuar ato.

Polovina, me profesion piktor-restaurues shprehet se fillimisht janë identifikuar 15 ikona që ishin restauruar dhe u ekspozuan në një prej kishave të qytetit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) që realizon edhe restaurimet. Më pas u vendos të kthehej në një ekspozitë të përhershme, e cila pasurohet vazhdimisht në varësi të restaurimeve.

Deri tani aty janë ekspozuar 20 objekte dhe ikona të realizuara rreth shekujve XVI-XIX, të cilat kanë për autorë ikonografë të njohur si Nikolla (i biri i Onufrit), Onufër Qiprioti apo familjen Çetiri. Në ekspozitë janë dhe disa ikona nga autorë të paidentifikuar. Ndër to shumë e vlerësuar është ikona e “Krishtit të gjithpushtetshëm” e shekujve XVI- XVII, e marrë nga kisha e Shën Todrit në kala.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).