Art & Kulturë

Do restaurohet banesa e Sali Shijakut në Tiranë

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar sot projektin e restaurimit të banesës së Sali Shijakut, Tiranë.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë dhe strukturorë të banesës.

Banesa e ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase. Ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX paraqet fazën më të zhvilluar të kësaj banese.

Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate. Në fazën e parë ka qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë prej druri. Në fazën e dytë, në fillim të shek. XX, është bërë një rikonstruksion i mjediseve si dhe mbyllja e çardakut.

Këto lloj banesash janë nga llojet më të lashta të cilat nga mënyra e ndërtimit dhe funksionimit nuk hasen në qytete të tjera të Shqipërisë. Banesa rrethohet me mure qerpiçi, ku hyrja bëhet nëpërmjet portave të mëdha dykanatëshe që janë pothuaj gjithmonë mbuluar me çati të thjeshtë. Banesa e Shijakasve është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1973.

Në kopshtin e banesës sot ndodhet një kafene, kurse dhoma kryesore e saj është shndërruar në një galeri arti, ku janë ekspozuar veprat e piktorit Sali Shijaku.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).