Art & Kulturë

Rai Arte: Edi Rama, kryeministri artist

Portali i kanalit “Rai” në Iltali, “Rai Arte”, që trajton temat e artit dhe kulturës, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Edhe biseda me kreun e qeverisë është jashtë kontekstit politik, e fokusuar te lidhja e tij me artin dhe kulturën. Fillimisht, në artikull shkruhet një histori e shkurtër e karrierës së Edi Ramës, dhe më pas pasioni pë artin.

Artikulli i plotë në “Rai Arte”

Edi Rama është i njohur për pasionin e tij estetik dhe dellin artistik. Pasi arriti të bëhej një pedagog pikture në Akademinë e Arteve në Tiranë, zhvilloi karrierën e tij në rezidencën artistike “Cite International des Arts”, në Paris, qytet në të cilin jetoi për disa vite në azil politik, për t’i shpëtuar përndjekjes në vendin e tij.
I rikthyer në Shqipëri, për të qenë i pranishëm në funeralin e babait të tij, e gjen veten brenda pak kohësh si Ministër i Kulturës, një detyrë që kryen nga viti 1998, deri në 2000­shin. i dalë i fortë nga kjo përvojë, zgjidhet në vijim kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe falë një seri nismash që synonin të ngjiznin tharmin e një ndienje krenarie dhe përkatësie qytetare, shërben si kryebashkiak edhe për tre mandate të tjera me radhë, deri në vitin 2011.

Projektet e tij të rikualifikimit të fasadave urbane dhe të hapësirave publike “shëruan” një frakturë të krijuar midis qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore, që buron nga rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri. Rama përfshiu një numër artistësh të tjerë, midis të cilëve Olafur Eliason dhe Anri Sala, në transformimin e pallateve gri të kohës së komunizmit, duke gjallëruar me ngjyra të gjithë kryeqytetin dhe arkitekturën e tij, një sipërmarrje që nënvizoi edhe hapjen e qeverisë ndaj horizonteve të rinj.
Në luftën kundër abuzimit me territorin dhe ndërtimtarisë pa leje, Rama u përgjigj me projektin e tij të “gjelbërt”, i cili solli krijimin e 96 700 metrave katror territor gjelbërim, si dhe mbjelljen e 1 800 pemëve në Tiranë.

Kjo arritje e nderoi atë me një çmim të prezantuar nga Kofi Annan, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Ditën Ndërkombetare të Luftës kundër Varfërisë, në vitin 2002. Për disa vite kryetar i Partisë Socialiste, shndërrohet në Kryeministër në vitin 2013. Brenda selisë së qeverisë ka krijuar një Qendër për Hapje dhe Dialog (COD), një hapësirë kulturore e mirëfilltë e dedikuar publikut, një hapësirë ku manifestohet edhe një herë më shumë liria e mendimit dhe vizioni i tij demokratik mbi artin.
Dhuntitë artistike të Kryeministrit shfaqen edhe gjatë aktivitetit të tij të përditshëm politik. Skrivania e vendosur në zyrën e tij është e mbushur me penela dhe lapsa të të gjitha ngjyrave, të cilat i përdor për të ngopur pasionin e tij artistik.

Kështu, në duart e Ramës, axhenda e tij dhe ndonjëherë edhe dokumenta shtetërore, shndërrohen në një telajo për skica instiktive. Dhuntia e Ramës, për të çliruar krijmtarinë e tij del në pah në ato momente të pakta kur Kryeministri arrin të gjejë kohë të lirë, për të vizituar atelienë e një miku, në të cilën është i lirë të punojë për realizimin e skulpturave në qeramikë apo në thurrjen e figurave tredimensionale në telajo.

Në këtë hapësirë, Rama përmbledh në vetvete kuptimin e fjalës artist. Christine Macel (shih intervistën e plotë), e goditur nga dhuntitë artistike të Kryeministrit, e ka ftuar atë që të marrë pjesë në “Viva Arte Viva”, titulli i zgjedhur për edicionin e Bienales së Artit të Venecias, ku Edi Rama prezanton një lloj posteri mural të një seleksioni të punëve të tij, një lloj dialogu artistik me Olafur Eliasson ku shkrihet lidhja e ngushtë e të dy artistëve sa i përket çështjeve të ekologjisë dhe luftës kundër varfërisë.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).