Jemi mësuar që Teatrin Kombëtar të Kosovës ta vizitojmë për të parë shfaqje të ndryshme, por kësaj radhe po na priste krejt diçka tjetër.
Ishin punimet e artistes Blerta Zeka Berisha ato të cilat kishin zënë vend në hollin e TKK-së dhe po prisnin të përjetohen nga vizitorët.
Për këtë cikël punimesh i cili ishte i mbushur me një galeri ngjyrash, plot jetë dhe të bukura për syrin, artistja ishte inspiruar nga Trupa e Baletit të Kosovës të cilët i ndjek në secilën shfaqje. Loja e balerinëve ishte paraqitur me anë të furçës dhe ngjyrave në pëlhurë duke bërë kështu që gjithçka të përjetohet në mënyrë të veçantë.
Kjo është edhe ekspozita e parë personale e artistes, ku ajo prezantoi 15 vepra të punuara në mënyrë të veçantë, me ngjyrë akril, të gjitha këto të realizuara në pëlhurë.
Ekspozitën Blerta kishte vendosur ta titulloj “ANNA”, me emrin e së bijës, e cila gjithashtu është një shtysë dhe inspirim për të.