Art & Kulturë

Pse duhet ta shohim shfaqjen “Zoti i Masakrës”? Na e tregon vetë personazhi Mishel (Erand Sojli)

E cilësuar si një prej komedive më të mira të 10 viteve të fundit, shfaqja “Zoti i Masakrës” nga autorja Yasmina Reza, do të ngjitet më 23 & 24 mars në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Nën regjinë e Kiço Londos, vepra rikthehet pas suksesit të vitit të kaluar, nën interpretimin e aktorëve brilantë Erand Sojli, Alert Celoaliaj, Ermira Gjata e Ermira Hysaj.

Stafi i Infokult.al kontaktoi aktorin Erand Sojli për të mësuar më shumë mbi personazhin që ai interpreton në këtë shfaqje, fabulën e saj dhe arsyet se përse publiku shqiptar duhet të shkojë për ta parë.

Image may contain: one or more people, people sitting and indoor

Erandi është rikthyer enkas vetëm për këtë shfaqje, të cilën e konsideron “si një gurë të çmuar në karrierën e tij si aktor”.

Siç rrëfeu edhe artisti, ai ka punuar për të përshtatur personazhin e tij që t’i flasë publikut shqiptar, pasi psikologjia e tyre si një vepër franceze, ndryshonte nga ajo shqiptare. Për të mësuar më shumë detaje nga shfaqja dhe personazhi i Erandit, ju ftojmë të lexoni intervistën…

Infokult: Na tregoni pak për personazhin që ju portretizoni në shfaqjen “Zoti i Masakrës”.

Erandi: Për personazhin tim mund të flas gjithë ditën pasi është një njeri i thjeshtë me një mirëqënie mesatare dhe me një profesion të rëndomtë siç thotë edhe vetë ai. Është një tregtar ambulant me një personalitet te dyfishte, i cili kërkon me ngulm të uli tensionet midis cifteve, të cilët kërkojnë të gjejnë arsyen përse fëmijët e tyre janë agresiv. Por  edhe ai ka një pikë të dobët, miun e bardhë, një kavie që e ka përzënë nga shtëpia dhe kur ja kujtojnë, ai humbet çdo lloj kontrolli mbi veten. Është një personazh të cilin jam përpjekur ta skalis me detaje që do e sjellin këtë personazh sa më pranë shoqërisë shqiptare, pasi pjesa është franceze dhe personazhet kanë psikologji tjetër. Besoj se ja kam arritur ta realizoj ose më saktë ta përkthej nga pikpamja interpretative me sukses, duke e bërë të qëndrojë mirë në skenë dhe t’i flasë publikut shqiptar. Në një farë mënyrë jam lodhur për ta bërë sa më të thjeshtë personazhin.

Infokult: Çfarë ju shtyu që të riktheheshit sërish në këtë rol?

Erandi: Pas suksesit që pati vitin që shkoi, produksioni i “Teatri Kombëtar Eksperimental” e pa të nevojshme ta rikthente këtë shfaqje nisur edhe nga kërkesat. Edhe pse kishte kaluar rreth një vit, kjo shfaqje kishte mbetur në memorien e publikut. Duke qënë se isha larg i kërkova regjisorit Kiço Londo të më dublojë, por ai më dha një përgjigje që më detyroi të sakrifikoj dhe t’i rikthehem rolit të Mishelit. Ne aktorët jemi si fëmijët. Nëse na thua një fjalë të mirë, japim shpirtin në skenë. Dhe unë në momentin që regjisori më tha “Të lutem eja, sepse të kërkon publiku dhe jo unë” Preva biletën dhe erdha enkas vetëm për këtë shfaqje. “Zoti i Masakrës” është një vepër e cila besoj se do të meritonte çdo lloj sakrifice, jo vetëm në rastin tim, por të çdo aktori që dashuron këtë profesion. Kam ardhur me shumë dëshirë për t’ju rikthyer këtij roli, i cili është një gur i çmuar në cv time si aktor.

Image may contain: 1 person, sitting and indoor

Infokult: A do të ketë diçka ndryshe këtë herë, e gjithë shfaqja apo ju në personazhin tuaj?

Erandi: Çdo rivënie ka avantazhet e saj. Në të gjithë Botën produksionet teatrore zgjasin me vite. E njëjta shfaqje zgjat me vite në kohë dhe në vende të ndryshme, pasi është një punë sfilitëse, dhe kjo punë nuk ja vlen të mbyllet me një numër të caktuar. Këtu në Shqipëri ne jemi mësuar të kryejmë një numër të caktuar shfaqjesh dhe më pas t’i paketojmë skenografitë  për të mos ju kthyer më. Por kjo është një humbje e madhe për investimin që kryhet.  Të ndërtosh një shfaqje është njësoj si të ndërtosh disa jetë. Dhe jeta nuk mund të braktiset. Unë jetoj me këtë filozofi. Rolet më japin mundësinë të provoj eksperienca jetësore të ndryshme, që nga antikiteti deri te e ardhmja e largët. Jemi me fat. Edhe nëse nuk fitojmë para, fitojmë jetë të ndryshme, gjë të cilën nuk e bën dot sado i pasur të jesh.

Infokult: Autorja e kësaj shfaqje, Yasmina Reza, ka shpalosur në këtë vepër temën e hipokrizisë borgjeze. A evidentohet shpesh një fenomen i tillë në shoqërinë shqiptare? (Opinioni juaj).

Erandi: “Zoti i Masakrës” është një vepër e një modeli të përkryer dramaturgjik, jo vetëm për fabulën, por për mënyrën se si trajton problematikën e kohëve moderne. Mesazhet e saj janë të nëndheshme dhe nuk bërtasin, por thjeshtë lëvizin mekanizmat tonë të perceptimit, duke na treguar se ne jemi qënie agresive dhe  egoiste që në momentin që nuk arrijmë të kemi argumenta për t’i fshehur gjithë këto instikte; atëhere kthehemi në kafshë. Ajo e vendos realitetin mbi një barrierë të detyrueshme, që është hipokrizia për të ruajtur balancat në marrëdhëniet njerëzore. Në shoqërinë shqiptare kjo gjë është e panjohur. Do ishte mirë të kishte një sjellje të tillë për të ruajtur ekuilibrat, por ne kemi sjellje ekstreme, ose dhunues, ose servile, kur vjen puna për t’u përballur me më të fortin ose me më të dobtin. Kemi ende reagime instiktive. Te ne dominon një fenomen shumë më i rëndë dhe as që bëhet fjalë se e kemi në sistem vetëpërmbajtjen. Kur personazhet e “Zotit të masakrës” nxehen ose rebelohen, atëherë bëhen shqiptarë të urtë. Pika kryesore që bashkon shoqërinë tonë me shoqëritë perëndimore, është përpjekja për t’ja lënë fajin tjetrit. Për këtë ndodh gjithçka te “Zoti i masakrës” me një ndryshim në përshtatje. Në qoftëse në shoqëritë e përparuara fajin përpiqen ta shmangin me hipokrizi dhe elegancë, ne shqiptarët e bëjmë haptazi me një naivitet fëminor.

Image may contain: 2 people, people smiling, indoor

Infokult: Vetëm dy ditë na ndajnë nga ngjitja në skenën e TKEKS të kësaj shfaqje. Sipas jush, përse duhet ta shikojë publiku “Zotin e Masakrës”?

Erandi: Publiku shqiptar nuk duhet të shikojë vetëm shfaqjen tonë, por duhet të konsumojë sa më shumë teatër,  pasi është i vetmi art që të ofron emocione të gjalla dhe mbi të gjitha ushqen shpirtin. Teatri është një fe e cila nuk bën moral, por vë gishtin në plagë.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).