Sot, në Muzeun Historik Kombëtar u promovua filmi dokumentar “Saga e Dinejve”. Ky film dokumentar ka për skenaristë Lia Ramën dhe Enver Kushin. Regjia i përket Mjeshtrit të Madh, Kujtim Gjonaj dhe drejtor fotografie, Spartak Papadhimitri.
Dokumentari flet për familjen e Dinejve, një familje e rëndësishme dhe e madhe çame. Dinastia e Dinejve zë fill me Abedin Pashë Dino, i cili ka qenë nëpunës e politikan i Perandorisë Osmane, ideolog i çështjes kombëtare shqiptare dhe rilindas. Vazhdon më tej me Rasih bej Dino, i cili ishte politikan, diplomat dhe një figurë e lëvizjes kombëtare shqiptare, në fillim të shekullit të 20-të.