Romani i Tourniersë, nuk është një tezë mbi perversionin. Nuk është një roman me tezë. As një roman personazhesh, pasi nuk ka të tjerë në të. As një roman analize të brendshme, meqë Robinsoni ka fort pak brendësi. Është një roman befasues aventurash komike, dhe një roman kozmik shndërrimesh. Në vend të një teze mbi perversionin, kemi një roman që shtjellon vetë tezën e Robinsonit: njeriu pa të tjerë në ishullin e tij. Mirëpo “teza”, në vend që t’i raportohet një origjine të supozuar, merr më tepër kuptim tek shpall aventura: çfarë do të ndodhë në botën ishullore pa të tjerë?
Libri i përzgjedhur në takimin e datës 29 korrik do të jetë “Premti, ose Limbat e Paqësorit” nga Michel Tournier, sjellë në shqip nga Balil Gjini, me shtëpi botuese Zenit.
Michel Tournier ka lindur në Paris më 1924. Është mbiquajtur “Kontrabandisti i filozofisë” meqë u rrek të kalonte Platonin, Aristotelin, Spinozën dhe Kantin në botën e historive dhe rrëfimeve. Ka jetuar në Vallée de Chevreuse pranë Parisit. Për këtë roman është vlerësuar me çmimin Grand Prix të Akademisë Franceze në 1967. Konsiderohet një nga prozatorët më të mëdhenj me inspirim metafizik të gjysmës së dytë të shekullit XX.