Art & Kulturë

Përtej Rrugës në të cilën rrallë shkohet

Qendra Kulturore dhe Filozofike Akropoli i Ri, në kuadër të sektorit të Filozofisë, organizon më datë 13 Janar, në orën 18:30, Klubin e Librit 27. Në këtë takim do të analizohet vepra “Përtej Rrugës në të cilën rrallë shkohet”, nga autori Scott Peck.

Dr. Peck është një psikanalist dhe autor Amerikan. Ai mbetet edhe sot autoritet i njohur në nivel ndërkombëtar për mençurinë që ndan në librat e tij mbi psikikën e njeriut dhe rritjen shpirtërore. Peck shërbeu në postet administrative në qeveri gjatë karrierës së tij si psikiatër. Ai gjithashtu shërbeu në Ushtrinë e SHBA dhe u ngrit në rangun e nënkolonelit. Detyra e tij kryesore ishte si shef i psikologjisë në Qendrën Mjekësore të Ushtrisë në Okinawa, Japoni. Në vitin 1992, Dr. Peck u zgjodh nga Shoqata Psikiatrike Amerikane si pedagog e psikiatër i shquar “për arritjet e tij të jashtëzakonshme në fushën e psikiatrisë, edukimit dhe studimit”.
Libri i parë i Scott Peck-ut, “Rruga në të cilën rrallë shkohet”, vazhdon të qëndrojë prej shumë vitesh në listën e librave bestseller të së gjitha kohërave. Te “Përtej rrugës në të cilën rrallë shkohet”, që është një vazhdim po aq i mençur dhe i thjeshtë i librit të parë, autori rrëmon edhe më thellë në çështjet e jetës së përditshme me të cilat përballemi dhe na sfidojnë të gjithëve në ditët e sotme: me fajin dhe faljen, me aspektin kafshëror dhe atë shpirtëror. me vdekjen dhe kuptimin e jetës, me familjen dhe marrëdhëniet, me pranimin e përgjegjësive dhe rritjen tonë shpirtërore. I shkruar me shumë inteligjencë dhe ndjeshmëri, libri bazohet në përvojën e Scott Peck-ut, si atë profesionale, ashtu edhe atë personale pasi na mëson si të sfidojmë mentalitetet e gabuara duke sugjeruar një rrugë nëpër të cilën mund të vazhdojmë të ecim përpara, rrugë e cila na tregon se ndryshimi dhe rritja personale janë gjithmonë të mundura, pavarësisht se sa i vështirë dhe i ndërlikuar është udhëtimi.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).