Art & Kulturë

“Parku i Artit” në ish-Kinostudio, bën bashkë Tiranën me Italinë

 

“Shokë dhe ëngjëj” është projekti më i ri artistik i arritur falë marrëveshjes kulturore dhe ekonomike midis Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Presidentit të Rajonit të Pulias, Michele Emiliano.

Ky projekt, i cili është nënshkruar në Bari të Italisë, synon ndërtimin e një “Parku të Artit” në kopshtin e ish-Kinostudios, me qëllim krijimin e një poli të ri artistik në periferinë e Tiranës.

Turi dhe Tirana janë dy qytetet nga Pulia dhe Shqipëria, që përmes fillit të filozofisë së Antonio Gramshit, mendimtari italian me origjinë shqiptare, jo vetëm krijojnë fabulën e Parkut të Artit “Shokë dhe Engjëj”, duke rindërtuar qelinë e burgimit ku Gramshi shkroi Fletoret e famshme, por me ndërthurjen e instalacioneve të statujave të realizmit socialist të Galerisë Kombëtare të Arteve, ky projekt sjell një provokim të debatit të nevojshëm dhe ende të munguar mbi përballjen me të kaluarën tonë komuniste.

“Këto statuja, përdorimi i të cilave ka një valencë të fortë simbolike, që janë mbuluar e zbuluar, ulur e ngritur, admiruar e përçmuar, do duhet të gjejnë një vend të lexueshëm e të hapur ndaj debatit e reflektimit, edhe për të përfaqësuar një pikë ndalese në atë që e kemi quajtur Rrugët e Kujtesës”, është shprehur Kumbaro.

Ky projekt, bashkë me ofiçinën e artit, që synon restaurimin e makinave të vjetra të rekuizitës së Kinostudios dhe aktivizimin e artistëve të rinj, do të përtërijë edhe pëlhurën urbane të kryeqytetit, duke krijuar një qendër te re arti, shoqërizimi e debate, por edhe atraksioni kulturor e turistik.

Projekti është bashkëfinancim i Ministrisë së Kulturës dhe Rajonit të Pulias. Po kështu, Ministrja Mirela Kumbaro dhe Presidenti Michele Emiliano, dakordësuan edhe bashkëpunimin me Teatrin e Operas dhe Baletit që këtë vit do të shtrijë kalendarin e turneve edhe në teatrot e Rajonit të Pulias. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen në vijim të bashkëpunimit të qëndrueshëm kulturor Shqipëri-Pulia, pas përmbylljes me sukses të projekteve ArtVision dhe Bienalja e Krijuesve të Rinj të Mesdheut Mediterranea 18.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).