“Washington Post” ka shkruar një artikull mbi një pronar shqiptar kafeneje, i cili i ofron kafe falas të gjithë njerëzve me origjinë nga Haiti, Salvadori e Afrika.
Arsyeja e këtij veprimi qëndron pas deklaratës së Presidentit Trump se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të pranojnë emigrantë nga “vende halesh”. Kështu, Gjergj Dollani, pronari i këtij lokali, e ka sfiduar hapur Presidentin e ri.
“Emigrantët vijnë këtu për të shtuar diversitetin dhe për ta bërë Amerikën atë që është…Prindërit e mi deshën një jetë më të mirë dhe morën përsipër rrezikun. Kjo është shtëpia jonë tani; Unë kam kaluar më shumë kohë këtu se në Shqipëri.” -, është shprehur Dollani.
40-vjeçari është pronar i “Cafe Chocolat”, një lokal që është hapur 4 muaj më parë në Uashington. Ai ka ardhur në Amerikë që në vitin 1994 me Lotarinë Amerikane, në kohën kur Shqipëria sapo kishte dalë nga regjimi komunist. Gjergji ka mbaruar studimet nga Universiteti i Illinois për çokolatier dhe ka jetuar 1 vit në Francë për të mësuar zanatin.
https://www.instagram.com/p/BdDxdnsDbLR/?taken-by=cafechocolatdc
Sipas Gjergjit, emigrantët janë ata që krijojnë vendet e punës në SHBA. Ai sjell rastin e punëtorit të tij, Marco Santos, një 23 vjeçar me origjinë nga Honduras, i cili ka jetuar në Amerikë që në moshën 5 vjeçare.
“Im atë më solli këtu që të kisha një shans më të mirë për të jetuar, por Donald Trump kërkon të më heqë të drejtën e nënshtetësisë dhe të më kthej pas në vendin e origjinës time.”-, është shprehur Santos.
Vendimi mbi heqjen e nënshtetësive të emigrantëve pritet të merret nga Kongresi. Ndërkohë, gjykata i ka dhënë të drejta fëmijëve të emigrantëve të paligjshëm që të punojnë dhe jetojnë aty.