Teatri Metropol sjell në skenë premierën “Një ëngjëll në katin e 11” me regji nga Stefan Çapaliku.
Kjo vepër është një komedi urbane, e cila i kalon kufijtë e postmodernes drejt asaj që thirret estetikë e artit bashkëkohor, duke kërkuar kështu edhe një gjuhë teatrore bashkëkohore.
Vepra e shkruar nga vetë Çapaliku do të ketë premierën në datën 15 shkurt, në të cilën interpreton një kast i përzgjedhur aktorësh si Ervin Bejleri, Ilirda Bejleri, Erjon Hinaj, me skenografinë e Sadik Spahisë, koreografi nga Gjergj Prevazi dhe muzikë nga Agron Shala.
“Një ëngjëll në katin e 11” është një ndër 25 veprat dramatike të Çapalikut, e cila shënon një ngjarje në estetikën e veprave të tij, duke i hapur shteg dramaturgjisë së mbështetur në ngjarjet e mëndjes.
Ngjarjet e shfaqjes zhvillohen në një stacion treni, gjatë natës. Askush nuk gjendet në të përveç dy udhëtarëve të rastësishëm dhe më pas, si çdo njohje tjetër, edhe kjo, mediokre.
Një apartament në katin e njëmbëdhjetë. Një çift po bën dashuri. Telefoni ndërpret flirtin e tyre: burri i saj do të arrijë nga çasti në çast. Djali do t’ia mbathë, por ashensori është jashtë funksionit. Nëse merr shkallët, rrezikon të ndeshet me fytyrën e burrit. As nuk mund të hidhen nga dritarja. Pikërisht në çastin kur ai mendon se koha mbaron, ka një trokitje në derë.
Në vend të burrit, shfaqet një dëshmitar i Jehovait duke mbajtur një Bibël në dorë. Atij po i merret fryma nga shkallët dhe nuk ndihet mirë. I riu dhe gruaja i japin atij ndihmën e parë. Dëshmitari i Jehovait, vjen në vete dhe fillon një fjalim patetik rreth familjes. Dhe si për të dashur t’i japë me të vertetë fund fjalimit të vet, ai vdes. Dashnorët e vendosin atë në shtratin e tyre dhe fillojnë të flasin për jetën e tyre. Ndërkaq, burri që pritet nuk vjen kurrë. Ai është thjesht një fiksim i mendjes së tyre të lodhur nga rutina e një marrëdhënie banale.
Prapë një stacion treni natën. Askush në të përveç dy udhëtarëve të rastësishëm dhe më pas, siç do njohje tjetër, edhe kjo, mediokre.
Këtë shfaqje kaq të bukur do të keni mundësi ta shikoni prej datës 15 shkurt e deri më 25, në sallën e Teatrit Metropol.