Dy vajza me origjinë nga Kosova, artistja Alketa Xhafa Mripa dhe gazetarja Kristale Ivezaj Rama, kanë nisur një projekt me emrin “Edhe muret kanë vesh” që do të projektojë vuajtjet e familjeve shqiptare gjatë periudhës së diktaturës.
Edhe pse të dyja nuk kanë jetuar në Shqipëri gjatë asaj kohe, për Alketën nuk është nevoja që ajo të jetojë një ngjarje për ta shkruar dhe ndjerë atë.
Ky projekt që do të mbledhë histori në mbarë vendin, duke përzgjedhur kontributet më të mprehta nga secili rajon ku kanë ndodhur këto drama çnjerëzore, për t’u projektuar më vonë në një monument ose pikë referimi në disa qytete të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Tepelenë, Berat, Elbasan, Burrel etj.
“Vepra synon të ketë një dimension global dhe ndërkombëtar, që në botë ta dinë sesi shqiptarët po e përjetojnë dhe e bëjnë trazicionin e tyre nga e kaluara në të ardhmen. Ku instalacion artistik do të përbëjë një moment, jo vetëm zgjimi, por edhe rikujtimi. Mendoj se ky projekt synon të bëj përfshirjen e drejtëpërdrejtë të atyre që kanë qenë një objekt dhe subjekt i regjimeve më të ashpra në botë”, është shprehur Alketa.
Fraza poetike apo thënie që buronin nga tragjedia njerëzore e shtypjes së çdo forme të lirisë, do të shkëputen nga dorëshkrime, dokumentime apo arkiva personale të personazheve të internuar, që artistja do të hulumtojë nëpër territorin shqiptar. Më pas këto tekste të ndaluara do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (09 maj 2018), dhe në të njëjtën kohë nëpër qytete.
Përveçse një dokumentar, ai do të bëhet edhe një libër në anglisht e shqip, duke u bërë fryti i të gjithë punës që artistët do të investojnë në këtë projekt. Bashkë me dy iniciatoret, pjesë mbështetëse e këtij projekti është Bashkia e Tiranës dhe kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, Gentjana Sulo.